Garuesit qëndrojnë në këmbë, të ngurtë dhe me duar pas shpine, duke pritur të pranojnë një shuplakë brutale në fytyrë. Kur jepet goditja me dorë të hapur, reagimi mund të jetë dramatik. Disa luftëtarë mezi lëvizin, ndërsa të tjerët lëvizin prapa ose bien në dysheme. Disa përfundojnë të nokautuar.
Presidenti i UFC-së, Dana White, po shet luftimin me shuplakë si gjënë tjetër të madhe në sportet luftarake, duke vendosur paratë e tij dhe burimet e një prej organizatave më të njohura të arteve marciale të përziera në botë pas ligës “Power Slap League”. Komisioni Atletik i Nevadës ka lejuar ligën për garat e mbajtura në Las Vegas.
“Janë ndeshje në shtëpi”, tha White, i cili është në mesin e disa zyrtarëve të UFC-së të përfshirë në ligë.
Disa goditje me shuplaka janë bërë virale, duke përfshirë një video nga Evropa Lindore që tregon një burrë që vazhdon të garojë edhe pse gjysma e fytyrës së tij është e fryrë. Një ekspozim i tillë ka çuar në pyetjet në lidhje me sigurinë e përplasjes me shuplakë, veçanërisht rrezikun e “encefalopatisë kronike traumatike”, ose CTE, një sëmundje e trurit që besohet se shkaktohet nga goditjet e përsëritura në kokë. Një ish-kryetar i Komisionit, i cili rregullon sportet luftarake në Nevada, thotë se miratimi i ligës ishte një gabim i madh. Chris Nowinski, bashkëthemelues i Fondacionit “Concussion Legacy”, pajtohet, duke e quajtur luftimin me shuplakë “një nga gjërat më budallaqe që mund të bësh”.
“Nuk ka asgjë argëtuese, nuk ka asgjë interesante dhe nuk ka asgjë sportive”, tha Nowinski. “Ata po përpiqen të promovojnë një aktivitet vërtet budalla për të fituar para”.
White dhe garuesit mbeten të patrazuar, duke krahasuar komentet mbi shuplakat me reagimin negativ me të cilin UFC-ja u përball në fillimet e saj, më shumë se 20 vjet më parë. UFC-ja është seria më e famshme e Arteve Marciale të Përziera, apo luftërave në kafaz. Ka miliona shikues.
“Unë mendoj se është padyshim i mbushur me temat e CTE-së dhe dëmin që po marrim”, tha Ryan Phillips, një luftëtar i “Power Slap League”. “Unë mendoj se shumë njerëz thjesht nuk e kuptojnë se është ende një shuplakë”.
Shqetësimet për tronditjet që çojnë në CTE, të cilat mund të shkaktojnë luhatje të dhunshme të disponimit, depresion dhe humbje të kujtesës, nuk kufizohen vetëm në sportet luftarake. Sëmundja është shfaqur në trurin e ish-lojtarëve të ragbit, ndërsa NFL dhe futbolli amerikan i kolegjit kanë ndërmarrë hapa për të ulur goditjet në kokë, duke ndryshuar rregullat në lidhje me goditjet. CTE-ja mund të zbulohet vetëm gjatë një autopsie. Pavarësisht kundërshtuesve, White tha se beson se luftimet me shuplakë do të ndjekin një trajektore të ngjashme me artet marciale të përziera, të cilat senatori i ndjerë John McCain i quajti si “luftë me gjela” më 1996, kur UFC nuk kishte kategori peshe apo shumë rregulla. Kritika e McCain ndihmoi ta detyronte organizatën të bëhej më e strukturuar, duke çuar në pranimin e saj të gjerë.
White tha se vlerësimet e shfaqjes së realitetit të luftës me shuplakë tregojnë popullaritetin e hershëm të asaj që për shumë është ende një kuriozitet. White tha se e kuptoi se mund të kishte një treg për sportin në SHBA kur pa miliona shikime në “YouTube” të videove të luftimeve me shuplaka nga Evropa Lindore më 2017 dhe 2018. Videot shpesh ishin prodhuar dobët dhe ndeshjet me shuplaka ishin të parregulluara. White u bind se luftimet me rregulla të shkruara dhe të xhiruara me pajisje profesionale mund të shndërronin shumë shikues të internetit në fansa të përkushtuar dhe me pagesë.
Komisioni i Nevadës i dha luftimeve me shuplakë një legjitimitet shumë të nevojshëm kur pranoi njëzëri sportin në tetor dhe një muaj më vonë i dha Whitet licencën për ta promovuar atë.
Luftimet në ligën “Power Slap” janë zakonisht tri deri në pesë runde. Luftëtarët me radhë godasin njëri-tjetrin në fytyrë me dorë të hapur dhe ata në anën tjetër qëndrojnë me duart pas shpine. Një luftëtar ka deri në 60 sekonda për t’u rikuperuar dhe për t’u përgjigjur pas një goditjeje. Luftëtarët mund të fitojnë deri në 10 pikë bazuar në efektivitetin e shuplakës dhe reagimin e mbrojtësit. Përleshjet mund të përfundojnë me një vendim, nokaut, nokaut teknik ose skualifikim, si për shembull për një shuplakë të paligjshme. Të gjitha shuplakat i nënshtrohen rishikimit me video. Çdo ngjarje ka tre gjyqtarë.
Të pranishëm janë gjithashtu një mjek mbikëqyrës dhe një mjek ose ndihmës i mjekut, plus tri ambulanca.
White thotë se luftimi me shuplakë është më i sigurt se boksi ose artet marciale të përziera, sepse çdo garues zakonisht merr vetëm tri goditje për meç. Në boks, tha White, ky numër mund të jetë 400 ose më shumë.
Nowinski tha se luftëtarët me shuplakë nuk fitojnë para të mjaftueshme për të justifikuar rrezikun. “Power Slap League” nuk zbuloi se sa i paguan luftëtarët, por tha në një deklaratë se pjesëmarrësit kompensohen për çdo ndeshje dhe gjithashtu mund të fitojnë “tarifa të paraqitjes” dhe “shpërblime shtesë”. Komisioni i Nevadës miratoi së fundmi rregulla të ndryshuara për të përcaktuar më mirë se çfarë përbën një shuplakë ligjore në një përpjekje për të minimizuar dëmtimet serioze.
“Gjëja kryesore është shëndeti dhe siguria e luftëtarit”, tha kryetari i Komisionit, Anthony Marnell.
Një garues tha se pjesëmarrësit mund të mbrohen pa humbur pikë, siç është të lëvizin përpara se ta pranojnë shuplakën.
“Unë e di se çfarë po vjen”, tha luftëtari Vernon Cathey. “Ka shumë gjëra që mund të bëj për të mbrojtur veten”.