Lëvizja Vetëvendosje ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale që mbahen në vjeshtë.
Në një komunikatë për media të kësaj partie u bëhet thirrje të gjithë anëtarësisë së saj nga komunitetet jo shumicë, por edhe të tjerëve nga këto komunitete që nuk janë pjesë e tyre, që të aplikojnë për të kandiduar për asambletë komunale.
“Inkurajojmë kandidimin e grave në veçanti për shkak se është shqetësuese se si në të kaluarën nga komunitetet jo shumicë nuk ka pasur gra nëpër asambletë komunale. Kjo është e papranueshme dhe flet për një ngërç shoqëror që duhet tejkaluar, andaj u bëjmë thirrje grave të kandidojnë e ta shtyjnë njëra-tjetrën të kandidojnë nëpër listat tona për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen me datë 17 tetor të këtij viti. Demokracia e përfaqësimi plotësohen e shumë çështje të rëndësishme për komunitetet shtyhen përpara duke u bërë pjesë e garës zgjedhore dhe duke përfaqësuar interesin e qytetarëve dhe komuniteteve të cilave u takojmë. Vetëm bashkë mund t’ia dalim e t’i realizojmë ndryshimet që i synojmë”, përfundon komunikata./Gazeta Enigma/