Drejtuesit e Mallorcas nuk kanë hequr ende dorë nga transferimi i sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi, ka raportuar “Corriere dello Sport” të premten.
Bëhet e ditur se presioni i tifozëve të Mallorcas, kanë bërë që klubi të vazhdojë negociatat me Lazion për ta siguruar Muriqit.
Tifozët e Mallorcas vazhdimisht nëpër rrjetet sociale po kërkojnë nga klubi që ta blejë kartonin e Muriqit, i cili ishte pjesë e ekipit spanjoll për pjesën e dytë të sezonit të shkuar.
Mësohet se Mallorca nuk po ofron mbi tetë milionë euro për kartonin e Muriqit dhe negociatat mes klubeve do të vazhdojnë të paktën deri në fund të këtij muaji.
Në anën tjetër, Lazio më herët ka bërë të ditur se për ta lënë të lirë Muriqin po kërkon të paktën 12 milionë euro.
Sulmuesi kosovar ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025.