Manchester City ka barazuar në ndeshjen kthyese ndaj Bayern Munichut, por e ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“Citizens” barazuan 1:1 në udhëtim dhe duke kaluar në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 4:1.
Anglezët hynë në këtë takim me epërsi prej tre golave nga ndeshja e parë.
Leroy Sane pati një mundësi të artë shënimi që do ta hapte jashtëzakonisht shumë sfidën, por dështoi të shënonte.
Në anën tjetër, Erling Haaland e humbi penalltinë në minutën e 38-të, duke gjuajtur mbi portë.
Por, norvegjezi e përmirësoi gabimin, duke shënuar gol në minutën e 57-të, pas asistimit nga De Bruyne.
Në minutën e 83-të, Joshua Kimmich realizoi nga penalltia për të barazuar rezultatin, por kjo ishte krejt çfarë mundi të bënte kampioni gjerman sonte.
Kësisoj, Manchester City e siguron kualifikimin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, aty ku e pret kampioni në fuqi, Real Madridi.