Manchester City përballet me Liverpoolin në derbin e madh evropian

Manchester City përballet me Liverpoolin në derbin e madh evropian

Manchester City – Liverpool do të jetë kryendeshja e xhiros së 11-të në Premier Leaguen angleze, por edhe e gjithë futbollit evropian këtë fundjavë.

Ndeshja mes dy skuadrave pritet të zhvillohet të dielën nga ora 17:30 në stadiumin “Etihad”.

City dhe Liverpooli janë dy ekipet që në vitet e fundit kanë luftuar ngushtë për titullin e kampionit. Aktualisht, të dyja ndodhen në ndjekje të liderit të kampionatit anglez, Arsenalit.

Arsenali udhëheq tabelën me 25 pikë, Manchester City renditet i dyti me 19 pikë, ndërsa Liverpooli një më pak, në pozitën e tretë.

Të dyja skuadrat janë në një moment të mirë formash. “Të kuqtë” kishin kaluar një periudhë krizash në rezultate, por tashmë kanë regjistruar dy fitore radhazi.

Të martën, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Kampionëve, Liverpooli e mposhti Real Madridin me rezultatin 1:0.

Ndërkohë, City të mërkurën fitoi bindshëm 4:1 ndaj Borussia Dortmundit.

City nuk është mposhtur në “Etihad” nga Liverpooli në shtatë ndeshjet e fundit, duke regjistruar katër fitore dhe tri barazime. Nga ana tjetër, Liverpooli ka pësuar humbje në shtatë nga nëntë ndeshjet e fundit në udhëtim.

Manchester City ka fituar pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Skuadra e Pep Guardiolës konsiderohet favorite ndaj kampionit në fuqi të Anglisë, Liverpoolit.

Te City do të mungojë mesfushori Mateo Kovaçiq, ndërsa Liverpoolit do t’i kthehet sulmuesi suedez, Alexander Isak. Trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot, do t’i mungojnë sërish portieri Alisson Becker dhe mbrojtësi i krahut, Jeremie Frimpong.

Aktualisht, te Manchester City po shkëlqen sulmuesi norvegjez Erling Haaland, i cili ka shënuar 18 gola në 14 paraqitje në të gjitha garat që nga përfundimi i Kupës së Botës për klube.

Për trajnerin spanjoll Pep Guardiola, ndeshja ndaj Liverpoolit do të jetë e veçantë, pasi për 54-vjeçarin kjo do të jetë ndeshja e 1000-të në karrierën e tij si trajner.

Në total, mes Manchester Cityt dhe Liverpoolit janë zhvilluar 194 ndeshje. Liverpooli ka 92 fitore, City 52, ndërsa 50 takime kanë përfunduar pa fitues.

Ndërkohë, të shtunën pritet një tjetër ndeshje interesante në Angli. Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, do të përballet me ish-skuadrën e tij, Arsenalin.

Sunderlandi do ta presë Arsenalin nga ora 18:30. Aktualisht, skuadra e Xhakës ka 18 pikë dhe renditet në vendin e katërt të tabelës.

Xhaka për “topçinjtë” luajti nga viti 2016 deri në vitin 2023.

Related Articles