Maqedonci: Sulmi në veri kishte synim dëmtimin e gjithë shtetit të Kosovës

Maqedonci: Sulmi në veri kishte synim dëmtimin e gjithë shtetit të Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se pas sulmit terrorist mbrëmë në kanalin e Ibër Lepencit, tani përballemi me një situatë të menaxhueshme.

Ai ka potencuar se bandat serbe kishin për qëllim mohimin e shërbimeve esenciale për qytetarët, dëmtimin energjetik dhe destabilizimin e vendit.

“Në Këshillin e Sigurisë analizuam situatën, secili dikaster ka paraqitur pikëvështrimin e tyre dhe të gjithë kemi ardhur në konkludim se ky sulm terrorist kundër infrastrukturës kritike të vendit tonë, kishte objektiv taktik mohimin e shërbimeve esenciale për qytetarët e vendit tonë, si dhe dëmtimin energjetik, kurse si qëllim strategjik kishte destabilizimin dhe normalisht gjunjëzimin e shtetit të Kosovës përballë këtyre grupeve.

“Edhe në këtë rast institucionet tona ishin në vendin e ngjarjes, u paraqiten me kohë, të gjithë koordinimet në mes institucioneve, duke përfshirë edhe ato të ministrive u bënë me kohë, ne kemi tani një situatë të menaxhueshme, të gjithë dikasteret qeveritare janë të koordinuara në mes vete si asnjëherë më parë, duke pasur parasysh se ky akt i tmerrshëm me të vërtetë kishte synim dëmtimin në masë jo vetëm të qytetareve, por të gjithë shtetit të Kosovës”, ka thënë Maqedonci për Klanin.

Related Articles