Maqedoni e Veriut: Mosbesimi i Qeverisë votohet të enjten

Maqedoni e Veriut: Mosbesimi i Qeverisë votohet të enjten

Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, në një konferencë për media njoftoi se është dorëzuar iniciativë për votimin e mosbesimit të qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo vjen pasi kryeministri Zoran Zaev, njëherësh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), njoftoi dorëheqjen e tij shkaku i rezultateve të pafavorshme për partinë e tij pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 31 tetor.

Deputeti opozitar Nikollovski u shpreh se në asnjë vend demokratik nuk ndodh që kryeministri të japë dorëheqje dhe e njëjta të mos arrijë në Kuvend për tetë ditë, andaj kanë vendosur të dorëzojnë inicitivën në Kuvend.

“Iniciativa është mbështetur nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit ‘Rindërtimi i Maqedonisë’, deputetët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, deputetët e partisë politike Besa dhe deputetët e partisë politike E Majta”, tha Nikollovski.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut që në afat sa më të shpejtë të caktojë seancë, në përputhje me rregullat ligjore.

“Gjithsej 61 deputetë e kanë nënshkruar këtë iniciativë dhe 61 nënshkrime së bashku me këtë iniciativë janë dorëzuar në kuvendin maqedonas. Presim që Kryetari i Kuvendit, në përputhje me afatet e përcaktuara në Kushtetutë dhe Rregullore, të thërrasë sa më shpejt seancën për të votuar besimin e Qeverisë”, u shpreh Nikollovski.

Ai gjithashtu tha se janë në bisedime edhe me deputetë të tjerë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të cilët sipas tij, mund të votojnë gjithashtu për rrëzimin e Qeverisë.

Duke u përgjigjur në pyetjet në lidhje me një marrëveshje të mundshme për krijimin e një shumice të re parlamentare dhe formimin e një qeverie të re, Nikollovski u shpreh se për këtë do të bisedohet pas “hapit të parë”, që është votimi i mosbesimit./Gazeta Enigma/

Related Articles