Avdullah Hoti, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se ka përkeqësim të marrëdhënieve të Kosovës me aleatët kryesor të saj.
E gjithë kjo sipas Hotit vjen si pasojë e qeverisjes jo të mirë të qeverisë aktuale.
Në një intervistë për KosovaPress, ish-ministri i Financave, derisa ka folur edhe çështje ekonomike në vend, shprehu shqetësimin e tij lidhur me menaxhimin e Trustit Pensional dhe performancën e ndërmarrjeve publike.
Ai ka theksuar rëndësinë për përfaqësimin e punëtorëve në Bordin e Trustit, duke vënë në dukje se ky bord ka qenë i kompletuar për gati një vit, çka ka ndikuar negativisht në menaxhimin e fondeve të kursimeve të punëtorëve.
Përveç kësaj, ai kritikoi përkeqësimin e performancës së ndërmarrjeve publike gjatë mandatit të qeverisë aktuale dhe rritjen e subvencioneve dhe kredive nga buxheti i shtetit për këto ndërmarrje.
Sipas Hotit, lidhja e vendit me aleatët ka qenë shumë më e mirë në kohën e presidentit, Ibrahim Rugova.
“Problemin me këtë qeveri e kemi shumë më fondamental, të mungesës totale të diplomacisë politike, para se gjithash. S’ka diplomaci fare kjo qeveri, rrjeti i ambasadave që është themeluar në qeveritë paraprake është copë-copë, duke i lënë ambasadat pa stafin e nevojshëm, duke dërguar ambasadorë jo kompetentë, duke lënë ushtrues të ngarkuar me punë nëpër ambasada për vite të tëra, që është një lloj fryrje ndaj vendit mikpritës. Diplomaci sot Kosova nuk ka, në katër vite qeverisje nuk kemi asnjë fakt të prekshëm në aspektin diplomatik. Bile e kundërta ka ndodhë, është përkeqësim enorm i marrëdhënieve të Kosovës me aleatët kryesor. Marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-të edhe gjatë viteve të 90-ta kur shtetin tonë të shpallur atëherë nuk na ka njohur bota përveç Shqipërisë, kanë qenë më të mira atëherë. Pra, presidenti i Kosovës, Rugova dhe zyrtarët e tjerë në institucionet amerikane, kanë pas qasje më të mirë atëherë se që kemi tash. Është viti katërt që gati po përmbyllet mandati pa asnjë takim signifikant i nivelit të duhur të kryeministrit me zyrtarë të SHBA-ve”, thekson Hoti.
Sipas tij, urgjente është të kemi zërin e punëtorëve në bordin e Trustit.
“Ka gati një vit që nuk është i kompletuar bordi i Trustit. Unë kam ngrit shqetësimet në vazhdimësi, dhe për faktin se për një periudhë të caktuar, Trusti nuk kishte fare bord, për të menaxhuar mjetet që menaxhon Trusti, që ishte shqetësim i madh. Ajo situatë është marrë me komoditet nga mazhoranca, por sot e asaj dite nuk e kemi përfaqësuesin e punëtorëve në bordin e Trustit, dhe tani nuk është as përfaqësuesi i bizneseve në këtë Trust që është bukur shqetësuese, sepse në fund Trusti menaxhon me kursimet e punëtorëve, qytetarëve, që kanë një kontratë punë…Është fakt që performanca e këtyre fondeve përcaktohet edhe nga rrjedhat në tregjet financiare, ndërkombëtare, por kur ka një menaxhim të mirë të këtyre fondeve, mund të evitohen humbjet, rreziqet që mund të ndodhin nëpër tregje të caktuara financiare. Ajo që është urgjente është që të kemi zërin e punëtorëve në bordin e Trustit”, thotë Hoti.
Hoti duke folur për përkeqësimin e ekonomisë së vendit, dhe vlerëson se performanca e ndërmarrjeve publike në vend është përkeqësuar.
“Afarizmi i tyre është për keqardhje, ndërmarrjet publike në Kosovë vazhdimisht kanë pas probleme biznesore, afariste të investimeve, performancës së tyre, por, ajo që është arrit në qeveritë paraprake, është pavarësimi i këtyre ndërmarrjeve nga buxheti shtetit. Për vite të tëra nuk është paguar asnjë cent nga buxheti shtetit për ndërmarrjet publike, me qëllimin që këto ndërmarrje të pavarësohen, të qëndrojnë në këmbë të veta, të sigurojnë një afarizëm që mundëson gjenerimin e të ardhurave për të mbuluar shpenzimet e tyre. E vërteta është që gjatë mandatit të kësaj qeverie janë shumëfishuar subvencionet për ndërmarrjet publike, ajo që do duhej të bëhej në këto ndërmarrje që është nis në qeverinë paraprake është nxjerrja e indikatorëve të performancës për ndërmarrjet publike ku secila prej tyre në kuadër të biznes planit të vet trevjeçar dhe njëvjeçar ka indikatorët e qartë. Sot jemi në vitin e katërt ku performanca e ndërmarrjeve publike është përkeqësuar. Shpenzimet e buxhetit të shtetit për ndërmarrjet publike janë rrit, është rrit edhe kredi dhënia e buxhetit të shtetit. Për Telekomin e Kosovës ka marrë kredi nga buxheti i shtetit për të bërë pagesën e 24 pagave për punëtor që janë larguar nga puna”, u shpreh Hoti.