Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, e ka dënuar marrjen nën kontroll prej disa javësh të centralit të çmontuar bërthamor nga forcat ruse, duke thënë se një veprim i tillë ishte “shumë, shumë i rrezikshëm”.
“Situata është absolutisht jonormale dhe shumë, shumë e rrezikshme”, tha kreu i kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara.
Grossi foli me gazetarët pasi arriti në sarkofagun që mbulon mbetjet radioaktive të reaktorit numër katër të këtij centrali bërthamor, në të cilin, më 1986 ka ndodhur incidenti më i madh bërthamor.
Trupat ruse morën kontrollin e këtij centrali bërthamor më 24 shkurt, në ditën e parë të pushtimit të Ukrainës dhe qëndruan në Çernobil për disa javë, duke rritur frikën se mund të ketë rrjedhje bërthamore.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se ushtarët rusë mund të jenë ekspozuar ndaj rrezatimit pasi kanë gërmuar fortifikimet “në shumë vende” në kompleksin e këtij centrali dhe po ashtu duke lëvizur me mjetet e tyre të blinduara, kanë bërë që nga toka të ngrihet pluhuri bërthamor.
Në Çernobil, më 1986 ka ndodhur katastrofa më e madhe bërthamore në botë, që ka lënë të vdekur qindra persona dhe radioaktiviteti është përhapur në mbarë Evropën.
Ky incident bëri që të krijohen një zonë e ndaluar që është rreth 2,600 kilometra katrorë.
Centrali i çmontuar bërthamor i Çernobilit gjendet rreth 130 kilometra larg Kievit. / Gazeta Enigma.