Martin Berisha në HRT: Aktgjykimi i Hagës nuk e vë në pikëpyetje pavarësinë, Kosova do të bashkëpunojë me aleatët e saj

Martin Berisha në HRT: Aktgjykimi i Hagës nuk e vë në pikëpyetje pavarësinë, Kosova do të bashkëpunojë me aleatët e saj

Martin Berisha, ambasadori i Kosovës në Kroaci, në një intervistë për HRT (Radiotelevizionin kroat), i ka quajtur drakonike dënimet e shqiptuara nga Haga ndaj krerëve të UÇK ndërsa ka shprehur dyshime mbi besueshmërinë e një pjese të dëshmive mbi të cilat bazohet vendimi.

Njëkohësisht, Berisha për audiencën kroate theksoi se Tribunali i Hagës duhet të dallohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

“Ato dy gjykata nuk kanë absolutisht asgjë të përbashkët. Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej tri të katërtave”, tha Berisha.

Ai gjithashtu theksoi se ky është një vendim i shkallës së parë, i cili ende nuk është përfundimtar.

Duke folur për reagimet ndaj vendimit, Berisha tha se në Kosovë ekziston një indinjatë e madhe.

“Nuk duhet t’i nënvlerësojmë emocionet që janë shfaqur te qytetarët”, tha ai.

Njëkohësisht, Berisha hodhi poshtë pretendimet se UÇK-ja ishte një strukturë e kriminalizuar dhe theksoi se procedurat kanë të bëjnë me përgjegjësinë individuale, e jo atë kolektive.

Ai gjithashtu potencoi se qytetarët e Kosovës nuk i kanë harruar krimet e kryera gjatë luftës dhe fatin e shqiptarëve të vrarë, trupat e të cilëve u transportuan në Serbi për të fshehur krimin.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk luftoi jashtë Kosovës. Ajo mbrojti vatrat e saj, jetët e saj dhe jetët e familjeve të saj”, tha Berisha.

Ambasadori beson se vendimi nuk do të jetë në favor afatgjatë të politikave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, edhe pse, siç vëren ai, Vuçiçi mund ta shfrytëzojë atë gjatë fushatës zgjedhore.

“Ky është një tentim për të relativizuar fajin ose për të krijuar përçarje. Vrulli që aktualisht po e nxit politikën serbe në prag të zgjedhjeve do të shuhet shumë shpejt,” tha Berisha. Ai ripërsëriti se bëhet fjalë për vendim të shkallës së parë.

Tutje, Berisha shtoi se Kosova do të vazhdojë një dialog serioz me aleatët e saj, kryesisht me Shtetet e Bashkuara, dhe nuk do të lejojë që vendimi të përdoret për të forcuar politika të tilla në planin afatgjatë.

Berisha e hedh poshtë pretendimin se vendimi vë në dyshim legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

“Ajo teori nuk qëndron, as faktikisht e as ligjërisht. Pavarësia e Kosovës u shpall në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare,” tha Berisha.

Related Articles