Masat e reja për targat, sa do të jetë vlera e gjobës për vetura pa RKS?

Masat e reja për targat, sa do të jetë vlera e gjobës për vetura pa RKS?
Edhe disa orë kanë mbetur deri në hyrjen në fuqi të masave të reja për targat, të propozuara të premten nga Qeveria e Kosovës.

Bëhet fjalë për vendimin e ri të qeverisë për konvertimin e targave ilegale në ato RKS i cili është paraparë të zbatohet shkallë-shkallë për gjashtë muaj.



Sipas propozimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sanksione do ketë për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe siç parashihet me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës.

Masat e reja për targat hyjnë në fuqi nga data 1 nëntor, kurse me qëndrimin e ri qeveritar, deri më datë 21 të këtij muaji do të vlejë vetëm masa e qortimit, ndërkaq nga 21 nëntori e deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese.

Por, sa do të jetë shuma me të cilën do të gjobiten pronarët që kanë ende vetura me targat serbe në Kosovë?

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se serbët që nuk do të konvertojnë targat ilegale serbe në RKS do të gjobiten me 150 euro, pas hyrjes në fuqi të masave të reja.

“Me vendimin e ri, nga data 1 Nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS. Nga data 21 Nëntor deri me datë 21 Janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Këtë e ka bërë të ditur edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi kur foli përmes videolidhjes, në Konferencën e Sigurisë në Beograd që u mbajt javën e kaluar.

“Nga e marta [1 nëntor] deri më 21 nëntor, qytetarët që kanë targa të paligjshme do të marrin paralajmërim, më pas policia do të duhet të shkruajë gjoba, sipas ligjit. Me sa di unë gjobat do të jenë 150 euro dhe qytetarët do të marrin udhëzime si të ndërrohen targat ilegale. Kjo do të zgjasë deri më 21 janar, kur do t’u jepen targat e përkohshme”, tha Bislimi.

Bislimi mori pjesë virtualisht në këtë konferencë, ku ishte paraparë të merre pjesë fizikisht por u detyrua të kthehet prapa disa kilometra në afërsi të Beogradi pasi autoritetet serbe nuk i ofruan siguri.

Related Articles