Masat u zbutën, por AKK këmbëngul të hiqet tërësisht ora policore

Masat u zbutën, por AKK këmbëngul të hiqet tërësisht ora policore

Ndonëse që nga e dita e shtunë, me vendim të Qeverisë, masat anti – COVID janë zbutur dukshëm, nga Asociacioni i Komuneve të Kosovës po kërkojnë që ora policore të hiqet tërësisht, raporton Gazeta “Enigma”.

Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se nuk mund të ketë orë policore sikurse në kohën kur ka 4 mijë raste në ditë sikurse rastet nuk kalojnë dhjetë të tilla në 24 orë.

“Kemi vlerësuar se masa e orës policore nuk dha ndonjë efekt, nuk ka ndonjë argument shkencor se pse duhet të jetë, sepse po shihet që masa e orës policore ka qenë edhe në tetor kur e kemi pasur numrin e të infektuarve minimal një shifror por edhe kur i patëm 4 mijë raste në ditë dhe tash kur i kemi 1 mijë deri në 2 mijë raste. Po shihet që një masë e tillë nuk ka dhënë ndonjë efekt, nuk ka dhënë ndonjë efekt dhe nuk ka ndonjë argument shkencor ku tregohet që intensiteti i virusit është më i shtuar natën sesa gjatë ditës”, potencoi Ibrahimi.

Prej emërimit të Rifat Latifit në krye të Ministrisë sëShëndetësisë, Ibrahimi thotë se Asociacioni i Komunave nuk është ftuar asnjëherë në takimet e Komitetit për menaxhimin e situatës me COVID, megjithatë ai shton që masat duhet të merren në proporcion me situatën epidemiologjike në terren.

“Masa për parandalimin e përhapjes së COVID-19 të jenë proporcionale me situatën në teren. Për këtë arsye kemi kërkuar që të kemi konsultime me nivelin qendror, konsultime këto të cilat nuk janë duke ndodhur që nga tetori i vitit të kaluar, me ardhjen e ministrit të ri, arsyeja nuk dihet, mirëpo po shihet që rekomandimet e Asociacionit të Komunave të Kosovës të bazuara në eksperiencat rajonale dhe evropiane të merren parasysh nëse tash ose më vonë, sepse, as Republika e Kosovës, as mekanizmat e tjerë ndërinstitucionalë nuk po zbulojnë diçka të re mirëpo bazohen në praktika të cilat vijnë nga shtetet në rajon”, thotë ai.

Pavarësisht anashkalimit nga ana e nivelit qendror, Ibahrimi thotë se sugjerimet e tyre po merren parasysh pasi disa prej tyre i kishin kërkuar prej muajsh.

“ Po shihet se këshillat, rekomandimet, sugjerimet e Asociacionit të Komunave të Kosovës, po gjejnë vëmendjen dhe gjithashtu ato po përkrahen nga niveli qendror. Kjo po shihet me masën e fundit ku është larguar në tërësi bartja maskës në ambiente të jashtme, kjo ka qenë kërkesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës qysh nga tetori i vitit të kaluar, mirëpo në atë kohë kemi pas raste një shifrore të infektuarve dhe kemi kërkuar që bartja e maskës në ambiente të jashtme të largohet, e tash kur kemi me mijëra raste ministria ka vendosur (ta largojë)”, ka thënë ai për KP.

Me vendimin e ri qeveritar, orari i lëvizjes lejohet 05:00 deri në orën 24:00, maska është obligative vetëm në ambiente të mbyllura, hyrja në Kosovë lejohet me dy doza të vaksinës ose një dozë dhe testi PCR, si dhe gastronomia lejohet të punojë deri në orën 23:00. / Gazeta Enigma.

Related Articles