Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që viti i ri shkollor të nis më 13 shtator.
Megjithatë, nga MASHTI theksojnë se vendimi përfundimtar do të merret nga Qeveria.
“Janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor. Janë shpërndarë tekstet shkollore, janë zhvilluar skenarët për mbajtjen e mësimit si dhe janë përgatitur shkollat. Synimi ynë është që shkollat të hapen me 13 shtator, por vendimi përfundimtar do të merret nga Qeveria bazuar në rekomandimet e profesionistëve shëndetësor, varësisht nga situata epidemiologjike”, thuhet në përgjigjen e MAShTI të dhënë për Telegrafin.
Gjithashtu, MAShTI bën të ditur se janë 4 skenar për mbajtjen e mësimi, duke filluar nga rikthimi i nxënësve në shkolla, e deri te mësimi online.
“Në Udhëzuesin e rishikuar janë 4 skenarë për mbajtjen e mësimit, duke filluar nga skenari i rikthimit që nënkupton prezencën e të gjithë nxënësve në klasë deri tek skenari C që nënkupton mësimin online. Ne shpresojmë se nuk do të jetë i nevojshëm skenari C, por nëse ndodhë e kemi platformën elektronike www.shkollat.org, e cila mundëson organizimin e mësimit online. Të gjitha masat parashihen me Udhëzues dhe janë ato që tanimë i dimë: distanca, maskat, mbajtja e higjienës”, vijon përgjigja nga MAShTI.
Ndryshe, në Kosovë është duke vazhduar të ketë numër të madh të personave të infektuar me coronavirus, ku në 24 orët e fundit janë konfirmuar 703 raste pozitive si dhe 19 raste të vdekjes.
Në fuqi vazhdojnë të jenë masat kufizuese, ku pas orës 22:00 në gjithë territorin e Kosovës vlen ora policore.