Opinionisti, Halil Matoshi, ka folur për rastin e vrasjes së 18 vjeçarës në Ferizaj duke thënë se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duhet të kërkojë llogari për mbylljen e lëndëve ndaj dy të dyshuarve për vrasjen në Ferizaj.
Matoshi ka thënë se Haxhiu duhet të kërkojë llogari nga Këshilli Prokurioral dhe ai Gjyqësor i Kosovës për mbylljen e lëndëve ndaj dy të dyshuarave dhe se sipas Matoshit kjo është puna e ministres.
“Albulena Haxhiu duhet me kërku transparencë nga Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor i Kosovës që të bëhen publike të gjitha lëndët e mbyllura për dy të dyshuarit për vrasjen e gruas së re nga Ferizaj si dhe për shtyrjen e një procesi nga viti 2013!? Kjo është puna e saj. Protesta është qytetare.”, ka thënë ai për Periskopin.
Tutje Matoshi ka thënë se ministrja që sot duhet të kërkojë publikimin e lëndeve ndaj dy të dyshuarve.
“Ministrja duhet që sot me kërku publikimin e këtyre lëndëve. Të gjithave. Si u mbyllën ato lëndë dhe a u shkelën procedurat? Pse u shty procesi në fjalë për tetë vjet?”, ka thënë Matoshi.
Ndërkohë, Policia e Kosovës po vazhdon kërkimin e Dardan Krivaqës, i dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj kërkon bashkëpunim nga qytetarët, për identifikimin dhe vendndodhjen e personit Dardan Emrush Krivaqa, i cili dyshohet për “Vrasje të rëndë” në Ferizaj.
Vrasja e rëndë, ka ndodhur dje më 22.08.2021 në Ferizaj, ku humbi jetën 18 vjeçarja M.O.
“I njëjti, i dyshuari deri më tani nuk është paraqitur në polici dhe është në arrati. Personi i kërkuar është Dardan (Emrush) Krivaqa, lindur më 25.08.1992, adresa rr ‘Ramadan Rexhepi’, Ferizaj”, thuhet në komunikatë.
Policia kërkon nga qytetarët që kushdo që ka ndonjë informacion rreth këtij personi dhe vendndodhjen e tij të lajmërojnë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë : 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. Të dhënat thuhet se do të jenë në konfidencialitet të plotë.
Ndryshe, protesta “Drejtësi për gratë e vrara”, e thirrur në mbrojtje të jetëve të grave, sapo ka nisur në Ferizaj. Në protestë shihet numër i madh i pjesëmarrësve që po kërkojnë drejtësi për vrasjen e 18-vjeçares M.O,.