Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve u mbajt Turneu Ndërkombëtar i Boksit “Adem Jashari” me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia.
Turneu u organizua nga Federata e Boksit e Kosovës, në mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nën Patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Kjo ngjarje sportive ndërkombëtare, e cila është edhe në kalendarin e Federatës Ndëkombëtare të Boksit (AIBA), në Kosovë ka filluar nga viti 1999.
Të shtunën janë zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale, ndërsa të dielën ato finale. Nga afër ndeshjet i ndoqën edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sekretari i MKRS, Bislim Bislimi dhe zëvendësministrja Daulina Osmani, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, Kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi, dhe emra të mëdhenj të boksit kosovar si Aziz Salihu, Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, Fatmir Makolli dhe të tjerë.
Në fjalën e tij Kryeministri Kurti tha se sporti i boksit reflekton historinë e suksesit, rezistencës dhe luftës së vendit tonë.
“Ky turne sportiv, që padyshim reprezenton suksesin e sportit vendor, tregon edhe shumë çka tjetër për vendin dhe popullin tonë. Emërimi i tij, “Adem Jashari”, shënon sakrificën dhe flijimin e familjes Jashari që sot është simbolika e Pavarësisë së popullit tonë” u shpreh kryeministri.
Gjithashtu, kryeministri Kurti vlerësoi se kjo ngjarje reprezenton punën dhe mundin e sportistëve, trajnerëve dhe punëtorëve sportiv të cilët pa ndalur, ndër-gjenerata e breza të tërë kanë zhvilluar sportin e boksit në vend, duke i vazhduar kështu sukseset e kampionëve shqiptarë të periudhës së ish-Jugosllavisë.
Boksieri më i mirë i turneut u shpall Shpëtim Bajoku, të cilit trofeun “Adem Jashari” ia ndau ministri Çeku, bashkë me kryetarin e Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi dhe kryetarin e KOK-ut, Ismet Krasniqi.
Boksieri më i mirë vendor u shpall Patriot Behrami. Tanko Villiam nga Sllovakia u shpall boksieri më i mirë i huaj. Dion Leani, nga Maqedonia e Veriut, boksieri më ‘Fair Play’, ndërkaq tekniku më i mirë u shpall Javier Diaz nga Bullgaria. Ndërkaq, çifti më luftarak u shpallën boksieri Kristian Demaj nga Shqipëria kundër Yordan Morejon nga Bullgaria.
Mbahet në Prishtinë edicioni i 23-të i Turneut Ndërkombëtar të Boksit “Adem Jashari” Sot në Pallatin e Rinisë dhe…Posted by Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit on E diel, 21 nëntor 2021