Mbappe e fiton “Këpucën e Artë”

Mbappe e fiton “Këpucën e Artë”

Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, ka arritur një tjetër sukses të madh në futbollin evropian. Francezi e ka fituar për herë të parë në karrierë çmimin prestigjioz “Këpuca e Artë”, pasi ishte golashënuesi më i mirë në kontinent gjatë edicionit 2024/25.

Mbappe pati një kampanjë të jashtëzakonshme, duke shënuar 31 gola në 34 ndeshje të La Ligas, rezultat që i siguroi 62 pikë në renditjen përfundimtare.

Sulmuesi francez u shfaq i emocionuar pas pranimit të çmimit.

“Fillimisht dua t’i falënderoj bashkëlojtarët. Këtë vit kemi grup të jashtëzakonshëm. Çmimet kolektive janë më të rëndësishmet”, ka theksuar Mbappe.

“Këpuca e Artë” ka rëndësi të veçantë për yllin e madrilenëve, pasi ky sukses erdhi në sezonin e tij të parë me Real Madridin.
“Të luash për Real Madridin është ëndërr”, shtoi ai, duke kujtuar se gjatë këtij edicioni fitoi edhe çmimin e golashënuesit më të mirë të La Ligas.

Mbappe ka bërë të ditur se synon ta fitojë sërish këtë çmim edhe në vitin e ardhshëm.

Nga lojtarët e mëparshëm të Real Madridit, “Këpucën e Artë” e kanë fituar Hugo Sanchez, Ronaldo Nazario dhe Cristiano Ronaldo.

Presidenti i klubit, Florentino Perez, ka shprehur krenarinë për arritjen e francezit.
“Madridi është krenar që ka lojtar si Mbappe”, ka deklaruar Perez.

Pas Mbappes, në listë u rendit Viktor Gyokeres, i cili sa ishte pjesë e Sportingut shënoi 39 gola. Megjithatë, koeficienti i ligës portugeze ishte më i ulët se ai i La Ligas, prandaj Gyokeres grumbulloi 58.5 pikë.

Në vendin e tretë përfundoi Mohamed Salah me 29 gola dhe gjithsej 58 pikë.

Related Articles