Mbi 12 vjet burgim për dy persona që u kapën me 5.5 kg heroinë në Ferizaj

Mbi 12 vjet burgim për dy persona që u kapën me 5.5 kg heroinë në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.R shtetas i Kosovës dhe shtetas Maqedonisë dhe S.A. shtetas i Kosovës, të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale të kryer në bashkëkryerje “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjykata ka njoftuar se të dy janë dënuar me nga gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim dhe gjobë, njëri 10 mijë dhe tjetri 15 mijë euro.

“Kryetari i Trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të gjitha provave për veprën penale si në aktakuzë, të pandehurin A.R e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vjet e gjashtë (6) muaj, dhe dënim me gjobë në shumë prej pesëmbëdhjetë mijë euro; të pandehurit S.A. e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej dhjetëmijë euro”.

“Gjykata konform dispozitave të KPRK-së, konfiskon në mënyrë të përhershme njëmbëdhjetë (11) pako me lëndë narkotike të llojit heroinë me peshë neto të përgjithshme 5432.88 gram dhe vetura e tij e markës “Wolsfagen Golf’”, thuhet në njoftim.

Sipas gjykatës, të pandehurit akuzohen se më 8 tetor 2020 në Ferizaj, kanë poseduar pa autorizim me qëllim të shitjes substancës narkotike të llojit heroinë, në atë mënyrë që pas marrëveshjes mes tyre i pandehuri A.E lëndën narkotike e ka siguruar nga persona të panjohur në Maqedoni.

Pas kësaj thuhet se A.E e ka sjellë tek një restorant në Ferizaj, ku është takuar me të pandehurin S.A, i cili e ka vendosur në veturën e tij të markës “Wolsfagen Golf”, të cilën e ka dërguar në një depo në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij, ndërsa gjatë zbatimit të urdhër kontrollit nga Njësiti Antidrogë kanë gjetur një çantë në të cilën ishin të vendosura 11 pako me lëndë narkotike të llojit heroinë me peshë neto të përgjithshme 5432.88 gram, e cila është sekuestruar nga policia.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt./Gazeta Enigma/

Related Articles