Mbi 34 mijë të prekur me COVID kanë aplikuar për subvencione nga komuna

Mbi 34 mijë të prekur me COVID kanë aplikuar për subvencione nga komuna

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka bërë të ditur se fund të muajit shtator mbi 34 mijë persona të prekur me Covid-19 kanë aplikuar për subvencione nga komuna.

Nga këto aplikime 28 mijë qytetarë kanë marrë mjetet, e krejt kjo i ka kushtuar komunës 1.4 milion euro.

“Deri tash numri total i aplikimeve për subvencione tek personat që kanë qenë me Covid-19 është mbi 34 mijë qytetarë që kanë aplikuar. Përndryshe afër 28 mijë qytetarë janë të subvencionuar dhe vlera totale e tyre e kap vlerën gati prej 1.4 milion euro dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme me të cilën po tentojmë se paku me i mbuluar disa prej shpenzimeve të cilave qytetarët u nënshtrohen gjatë fazës së karantinimit”.

Ai tha se vetëm ata qytetarët që janë në listën e IKSHPK-së dhe që janë të pajisur me aplikimin online kanë të drejtë aplikojnë.

“Ne i subvencionojmë ata qytetarë që figurojnë në listën që ne e pranojmë çdo ditë nga IKShPK-ja, andaj ftoj të gjithë qytetarët që të aplikojnë në formën online sepse vetëm si të tilla pranohen dhe të marrin këto subvencione”, tha Nushi.

Tutje ai tha se ndihmë nga komuna kanë marrë edhe familjet në nevojë, ku janë shpërndarë afro 30 mijë pako ushqimore vetëm në periudhën mars-shtator të këtij viti, raporton Ekonomia Online.

“Diku afër 15 mijë familje janë në listën tonë që pranojnë pako sociale, dhe duhet me cek që deri më tani kemi shpërndarë afro 30 mijë pako ushqimore vetëm gjatë periudhës mars-shtator të këtij viti. Prej këtyre pakove diku 10 mijë pako janë vlerë nga vet komuna, e ndërsa pjesa tjetër është falë donatorëve të ndryshëm”.

“Poashtu nga komuna jonë shpërndahen edhe shujta ditorë të dy kuzhinave popullore që kemi prezentë, dhe për këtë sa i përket mirëqenies sociale të qytetarëve tanë jemi të orientuar që t’i ndihmojmë sa më shumë, duke shpresuar se cilado qeverisje e ardhshme që do vjen të ketë fokus familjet me asistencë sociale”, theksoi tutje ai.

Nushi mes tjerash tha se janë të gatshëm për menaxhimin e situatës me Covid-19 edhe nëse rritet numri i rasteve.

“Ne kemi qenë të gatshëm duke ofruar ndihmë me ato kapacitete përmes qendrave të mjekësisë familjare tona, e poashtu mundësisë së strehimit ose vendosjes së qytetarëve në shtëpizat që i kemi në Gërmi, dhe praktikisht ne qëndrojmë prapa qëndrimeve tona. Po besoj që tash e kemi kaluar atë pikun kryesor të valës së tretë dhe duke parë që edhe vaksinimi është duke shkuar mirë”.

Related Articles