Më 6 dhjetor pritet që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të fillojë paraqitjen e provave, raporton Gazeta Enigma.
Këtë vendim e ka marrë trupi gjykues në çështjen gjyqësore Gucati dhe Haradinaj, përveç së cilit është vendosur edhe që Zyra e Prokurorit të Specializuar të paraqesë vendimin zyrtar për mbylljen e çështjes deri sot më datë 10 nëntor.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, paraprakisht, më datë 2 dhe 3 dhjetor do të mbahet konferencë përgatitore për mbrojtjen.
Gjithashtu, është bërë e ditur se mbrojtja do të dorëzojë mocionet për rrëzimin e akuzave brenda datës 17 nëntor.
“Sot, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Gucati dhe Haradinaj caktoi 6 dhjetorin si datë provizore për nisjen e paraqitjes së provave prej mbrojtjes, paraprirë prej konferencës përgatitore për mbrojtjen më 2-3 dhjetor. Gjithashtu, ZPS-së iu kërkua të paraqesë njoftim zyrtar mbi mbylljen e çështjes së vet deri më 10 nëntor, kurse pritet që mbrojtja të dorëzojë mocionet e veta për rrëzimin e ndonjë prej akuzave ose të gjitha akuzave në bazë të rregullës 130, brenda datës 17 nëntor”, thuhet në njoftim.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë, ata akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.