Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka quajtur “shumë normale” mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veriun e Kosovës, duke thënë se ato nuk kanë pasur licencë veprimi.
“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”, tha Sveçla para gazetarëve, teksa vizitoi sërish urën e Ibrit.
Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Autoritetet mbyllën nga tri objekte në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok. /Gazeta Enigma