Ministria e Drejtësisë, që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, i ka dërguar letër kryeprokurorit Besim Kelmendi, të cilit i është bërë me dije se rasti i hotel “Grandit” përmban elemente korruptive dhe keqpërdorime të shumta.
Sipas letrës së Ministrisë, thuhet se ka pasur ndërhyrje në procedurat e privatizimit, duke ndikuar në vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar, i cili ka detyruar Republikën e Kosovës t’i kthejë kompanisë “Mabco Constructions” të Behgjet Pacolli afër gjashtë milionë euro dhe shpenzimet e procedurës.
Në një letër drejtuar kryeprokurorit Kelmendi qw ka siguruar Koha, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se ka analizuar aktgjykimin dhe ka identifikuar dyshime për shkelje ligjore. Për këtë arsye, Ministria i ka dorëzuar prokurorisë vendimin e Tribunalit, duke kërkuar trajtim të mëtejshëm të rastit.
Ministria ka shprehur gatishmërinë për të ndarë të gjithë dokumentacionin dhe procesverbalet relevante, të cilat sipas informacioneve të tyre, janë kyçe për zbardhjen e kësaj skeme të dyshuar kriminale.
Në fillim të këtij viti, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore vendosi që deputetit Behgjet Pacolli t’i kthehen mjetet që kishte dhënë për blerjen e 40% të aksioneve në hotelin “Grand”, në vitin 2006 kur u privatizua. Pacolli, në maj të vitit 2017, në arbitrazh kërkoi që t’i kthehen mjetet që i kishte dhënë për blerjen e aksioneve të “Grandit”.
Asokohe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke komentuar vendimin e Tribunalit, kishte thënë se u vërtetua që hoteli mbetet në pronësi publike, por nuk kishte hedhur akuza për keqpërdorime.
Hoteli Grand u ndërtua në vitin 1978. Deri në luftë ishte pronë-shoqërore.
Pas luftës, menaxhimi i tij i kaloi Agjencisë së Kosovës për Mirëbesim deri në vitin 2006, kur u privatizua nga Unio-Commerce. Por asnjëherë nuk u rivitalizua për shkak të kontestit rreth pronësisë.