Kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur, Veljko Odaloviç, ka njoftuar se kërkimet në afërsi të fshatit Stavalj në komunën e Sjenicës do të vazhdojnë më 10 maj.
Ai gjithashtu bëri të ditur se në teren janë duke u zhvilluar përgatitjet e nevojshme.
“Nuk kemi më asnjë kërkesë konkrete nga Prishtina të cilës nuk i jemi përgjigjur dhe do të veprojmë me përgjegjësi dhe urgjent për secilën kërkesë sepse besojmë se këto nuk janë gjëra që duhet të shtyhen para së gjithash për shkak të ankthit të familjeve që presin që ne të veprojmë me përgjegjësi”, tha Odaloviç.
Odaloviç shtoi se pas marrjes së informacionit nga Prishtina lidhur me lokacionin afër Stavalj, dy herë kanë qenë në lokacion me delegacionin e Brukselit dhe se kanë kërkuar nga Prishtina që ta shënojë lokacionin më afër sepse terreni është më i gjerë.
Sipas tij, të pranishëm do të jenë edhe ekspertë nga Prishtina, të cilët janë ftuar nga Komisioni i Qeverisë së Serbisë, “sepse dëshirojnë që procesi të jetë jashtëzakonisht transparent”.
“Ne duam ta trajtojmë këtë çështje të ndjeshme me përgjegjësi. Çdo informacion që vjen nga pala prishtinase, që është deri diku specifik, do të kontrollohet në bashkëpunim me ta menjëherë, ashtu siç kemi bërë kur kemi marrë informacionin për Stavalj.
Kryetari Odaloviç ka potenucar se “presim që pala prishtinase të sillet në të njëjtën mënyrë sepse kërkesat tona qëndrojnë me vite dhe nuk janë në procedurë”.
Duke komentuar kritikat e kryetarit të Komisionit të Kosovës për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, i cili kritikoi faktin se në disa raste presin deri në një vit e gjysmë përgjigje për marrjen e imazheve satelitore të disa lokacioneve në Serbi, Odaloviç theksoi se imazhet satelitore nuk janë në kompetencën e Komisionit Qeveritar të Serbisë.
“NATO-ja i ka dhe NATO duhet t’i përcjellë tek ne nëse mund të ndihmojë. Për Kizevak, ne kemi marrë pamjet që na ndihmuan duke na dhënë udhëzime më të afërta dhe kështu ne shkurtuam disa ditë nga sa kohë duhet ta kontrollonim atë lokacion”.
“Të gjitha lokacionet ku kemi gjetur shqiptarët e Kosovës bazohen në informacionet e marra nga organet tona hetimore, jo nga dikush tjetër”.