Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të premten është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.
Kështu të paktën ka bërë të ditur vetë Vuçiç përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.
“U pajtuam që formimi i Asociacionit është prioritet, por edhe se duhet shumë më tepër përpjekje, punë dhe biseda për zgjidhjen e problemeve të akumuluara në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë”, ka shkruar Vuçiç.
Vuçiç më tej ka njoftuar se ai është ftuar të marrë pjesë në Samitin e Demokracisë me ftesë të presidentit Joe Biden.
Kosova dhe Serbia të hënën, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.