“Me motorsharrë në dorë”, dy persona pengojnë policët në Parkun Nacional ‘Sharri’

“Me motorsharrë në dorë”, dy persona pengojnë policët në Parkun Nacional ‘Sharri’

Dy persona janë proceduar penalisht për pengim të zyrtarëve policorë gjatë një aksioni në Parkun Nacional “Sharri”, ndërsa një person tjetër është gjobitur pasi tentoi t’i shmangej policisë,

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 12 maj 2026, rreth orës 18:30, kur zyrtarët policorë të angazhuar me detyrë sekondare në Parkun Nacional “Sharri”, bashkë me zyrtarët e pyjeve, gjatë patrullimit në terren kanë hasur në një mjet transportues të druve, një xhip i modifikuar, në të cilin ndodheshin tre persona.

Policia ka bërë të ditur se pas ndalimit të mjetit, dy nga personat kanë penguar vazhdimisht zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

“Gjatë arrestimit të shoferit të mjetit, njëri prej tyre, duke mbajtur në dorë një motorsharrë, ka vazhduar pengimin ndaj zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin, njësia e hetimeve të stacionit ka kontaktuar prokurorin e shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit penal ndaj dy të dyshuarve me inicialet I.D. dhe F.D., për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Ndërkaq, për shoferin e mjetit, i cili kishte tentuar t’i shmangej policisë, është urdhëruar inicimi i një shënimi zyrtar, që do të hetohet nga hetimet e stacionit në bashkëpunim me zyrtarët e Parkut Nacional “Sharri”, me qëllim identifikimin e vendndodhjes së prerjes së druve.

Po ashtu, ndaj tij është shqiptuar gjobë për moszbatim të urdhrave të zyrtarit policor.

Personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt.

Related Articles