Meçi i boksit mes Robin Haxhi Krasniqit dhe Nadjib Mohammedi u quajt “Meçi i Shekullit,” por i tillë mund të vlerësohet vetëm në aspektin negativ. Ky “spektakël” zhgënjeu të gjithë dashamirët e sportit dhe jo vetëm. Ky meç nuk kishte të bënte për asnjë titull por vetëm për përfitime të tipit “alla shqiptarqe”.
Organizatorët dhe vetë boksieri, duke u mbështetur në petkun e patriotizmit dhe flamurin e kombit, bënë të pamundurën për të bindur të gjithë se ky ishte një meç i rëndësishëm për Kosovën. Duke kërkuar leje e ndihmë nga Ministria e Sportit dhe Komuna, ata e prezantuan meçin si një mundësi për të mbrojtur titullin e kampionit në Kosovë. Megjithatë, dëshira për të “nderuar” Kosovën rezultoi në një zhgënjim total, që la pas edhe dëmtime të shumta, e njëherësh edhe dëmtim të buxhetit të institucioneve tona.
Aq më keq Robin Krasniqi mori leje nga Komuna për ta bërë meçin në të vetmin stadium që e ka Kosova për ndeshje ndërkombëtare, duke premtuar se do ta ruajë atë dhe duke ëndrruar që do ta mbushë atë stadium dhe do të përfitojë shuma të mëdha. Por në fakt e shkatërroi fushën duke mos u kujdesur për fushë e as për asnjë gjë tjetër. Interesi ishte vetëm si ta përfundojë punën e tij dhe pa i interesuar për asnjë gjë, as për shpenzimet tjera e as për kujdesin e tij për fushën.
Deri kur do të na mashtrojnë njerëzit e tillë me meçe të montuara, duke menduar që ne nuk dimë se kush i organizon meçet zyrtare. Na shesin meçe të manipuluara me moderator e televizione kosovare, me refer kosovarë për “titull kampion”. O jetë o jetë, Kosova jonë çfarë të ka gjetë.
Kosova ka nevojë për ngjarje sportive të ndritura që i promovojnë vërtet interesat kombëtare por edhe bëjnë kujdes për infrastrukturën e vendit. Organizimi i meçeve të montuara nuk sjell asgjë të mirë për një komb që kërkon të rritet dhe të forcohet në arenën ndërkombëtare.
Shteti dhe institucionet sportive të Kosovës duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe të krijojnë një ambient të integritetit, ku sporti dhe sportistët e vërtetë do të nderohen dhe promovohen me meritë. Nuk ka vend për organizime “alla shiptarqe” që dëmtojnë reputacionin e vendit dhe pengojnë përparimin e tij.
Tani fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” është në gjendje shumë të rëndë, derisa vetëm pas pak ditësh kampioni ynë luan ndeshjen e radhës në Ligën e Konferencës, derisa në fillim të shtatorit Kosova është mikpritëse e Zvicrës.