Akil Gjakova është kthyer në nivelin më të lartë të xhudos. Xhudisti kosovar të mërkurën fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin në Abu Dabi.
Për Akilin është medalja e parë këtë vit në garat e mëdha të xhudos. Vjet fitoi medalje të bronztë në Lojërat Mesdhetare, që nuk llogaritet në mesin e garave të mëdha të xhudos. Në prill të vitit 2021 kishte fituar medaljen e artë evropiane.
Këtë vit Akili i është afruar shumë herë medaljes në garat e Turit Botëror të Xhudos. Ngritja e tij e vazhdueshme u konfirmua të Abu Dabi të mërkurën.
Në finale, Akili u mposht nga xhudisti nga Uzbekistani, Shakhram Ahadov. Lufta ishte shumë e fortë. Akili kishte iniciativën dhe iu afrua shumë hedhjes në një rast. Më pas Ahadov realizoi hedhje për uazari. Akili sërish kishte iniciativën, por pa realizuar pikë.
Ahadov ishte bartësi i tretë, ndërsa Akili nuk ishte në mesin e bartësve.
Deri në finale, Akili i kishte edhe pesë fitore. Ka dëshmuar që i takon elitës botërore në kategorinë me konkurrencën më të madhe. Ka shkëlqyer gjatë gjithë ditës, ndërsa edhe paraqitja në finale ishte e nivelit të lartë, përkundër humbjes.
Me medaljen e argjendtë, Akil Gjakova ka fituar edhe 700 pikë në ranglistën botërore e olimpike. Tani do të stabilizohet në zonën që siguron normën për “Parisi 2024”.