Mediat gjermane: Putini po punon për një skenar edhe më të rrezikshëm

Mediat gjermane: Putini po punon për një skenar edhe më të rrezikshëm

Shtypi gjerman komenton njohjen nga Putini të republikave të vetëshpallura popullore në Ukrainën lindore dhe dërgimin e trupave ruse atje. Cila është strategjia pas këtyre lëvizjeve? Çfarë dëshiron vërtet Putini?

Shërbimi publik gjerman ARD e konsideron dërgimin e trupave ruse në Ukrainën lindore pjesë të “planit cinik të përshkallëzimit” të Putinit: një veprim në një përpjekje për ta rivendosur zonën e fuqisë së Bashkimit Sovjetik.

ARD shton në portalin e saj Tagesschau.de se ekziston frika se kjo nuk do ta kënaqë “urinë për territor” të Putinit, dhe se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Rusia tani po punon për një skenar edhe më të rrezikshëm, për shembull, të krijojë një “korridor për në Krime”.

Handelsblatt shkruan për “fjalimin e zemëruar” të Putinit për Evropën: “Presidenti rus jo vetëm që e varrosi Procesin e Paqes së Minskut, por e solli përsëri Luftën e Ftohtë”. E përditshmja gjermane vëren se fjalimi i Putinit ishte “një fjalim në të cilin ai u përpoq të justifikonte gjithçka që e çoi Evropën në prag të luftës.

Handelsblatt shkruan se ai ishte një fjalim “plot përbuzje për Perëndimin, plot krenari të lënduar për madhështinë e dikurshme të Rusisë, plot kërcënime të pambuluara”.

Süddeutsche Zeitung (SZ) tha në një koment: “Duke njohur të ashtuquajturat republika popullore dhe duke dërguar trupa në ato zona, presidenti rus e ka shkelur ligjin ndërkombëtar. Për herë të dytë në tetë vjet, ai po i ndryshon kufijtë e Evropës.”

Në komentin e tij, shërbimi publik ARD vëren se njerëzit në Ukrainë dhe Rusi vuajnë më së shumti nga përshkallëzimi./Gazeta Enigma/

Related Articles