Megaoperacion policor në Shqipëri: Pamje nga arrestimi i 30 personave, sekuestrohen drogë e armë

Megaoperacion policor në Shqipëri: Pamje nga arrestimi i 30 personave, sekuestrohen drogë e armë

Policia e Shtetit në Shqipëri ka zhvilluar megaoperacion të koduar si “Tempulli”, i cili bëri të mundur shkatërrimin e 23 grupeve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë.

Në kuadër të këtij megaoperacioni janë ekzekutuar 216 masa sigurie në të gjithë vendin, si dhe janë arrestuar 30 persona.

Ndërkaq, si rezultat i kontrolleve në banesa dhe në ambiente të tjera, deri tani janë sekuestruar:

-13 armë zjarri (2 kallashnikovë, 10 pistoleta dhe 1 pushkë), 5 armë gjahu/sportive, 1 elektroshok, 8 armë të ftohta (thika, doreza metalike);

-134.5 kg kanabis, 364 fara kanabisi, 1.2 kg kokainë, mijëra doza kanabisi, kokaine dhe heroine, qindra doza MDMA, tableta ekstazi, sasi të drogave sintetike GAB dhe Poppers, 23 peshore elektronike, 3 mjete për përpunimin dhe ndarjen e lëndëve narkotike në doza;

-225 celularë, 35 automjete, 1 801 000 lekë të rinj, 38 845 euro, 6100 paund, 1100 dollarë;

Po ashtu, janë sekuestruar 4 motomjete, 12 targa, pajisje si të Policisë dhe dokumente false.

Përmes një deklarate për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se operacioni vijon ende në të gjithë vendin.

“Janë sekuestruar kanabis, kokainë, heroinë, ekstazi, armë zjarri dhe armë të ftohta, vlera monetare e aksesorë që shërbejnë për paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike”, tha Rrumbullaku.

Operacioni policor u zhvillua në kuadër të masave për garantimin e sigurisë në shkolla.

“Prej disa ditësh janë impementuar një sërë masha të reja, për sigurinë në shkollë. Një nga masat është parandalimi i shitjes së narkotikëve pranë shkollave. ‘Tempulli’ për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, bareve, lokaleve, restoranteve”, u shpreh Rrumbullaku.

Related Articles