Mehaj shprehet i lumtur për arritjen e marrëveshjes së sigurisë mes Kosovës dhe ShBA-së

Mehaj shprehet i lumtur për arritjen e marrëveshjes së sigurisë mes Kosovës dhe ShBA-së

Ish-ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, është shprehur i lumtur pas vendimit për nënshkrimin e Marrëveshjes për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ish-ministri Mehaj e ka vlerësuar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe institucionet e sigurisë në Kosovë.

Në deklaratën e tij, ministri Mehaj ka theksuar përkushtimin dhe punën e vazhdueshme disavjeçare që është bërë për të arritur këtë marrëveshje.

“Pas një pune dhe përkushtimi disavjeçar, i lumtur të shoh jetësimin formal të Marrëveshjes e cila u nënshkrua sot, ndërmjet Qeverisë së Republikes se Kosovës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai në rrjetin social, Facebook.

Ai gjithashtu ka vënë në dukje se kjo marrëveshje përmban masat e nevojshme për të siguruar informacionin e klasifikuar, ndërsa njëkohësisht respekton standardet demokratike të ruajtjes dhe aksesit në këtë lloj informacioni, të përkthyera në legjislacionin e Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, kanë shprehur mënyrën se si kjo marrëveshje do të ndikojë në sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Kurti ka theksuar se siguria kombëtare është një prioritet thelbësor për Qeverinë dhe se ajo përfshin veprime të mençura në fushën politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve.

Ambasadori Hovenier ka theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacionit të sigurisë pa pengesa dhe theksoi se SHBA-ja ka detyrimin për të mbrojtur dhe shkëmbuar informatat e klasifikuara me Kosovën.

Ai gjithashtu ka shtuar se SHBA-ja mbështet sovranitetin e Kosovës dhe synon anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, veçanërisht në organet e sigurisë.

Related Articles