Gjilani ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit me përvojë Mevlan Adili, i cili ka firmosur me klubin dhe tashmë do të jetë nën urdhrat e trajnerit Ardian Nuhiu për sezonin e ri.
Adili, 31-vjeçar, u prezantua sot zyrtarisht dhe përshëndeti “Skifterat”, tifozët e flaktë të Gjilanit, duke shprehur gatishmërinë për të dhënë maksimumin në fushë.
Ai është një lojtar polivalent në repartin defensiv – luan si qendërmbrojtës, por mund të mbulojë edhe krahun e mbrojtjes nëse nevojitet.
Së fundmi, Adili ishte pjesë e Shkëndijës, me të cilën u shpall kampion i Maqedonisë së Veriut, duke qenë një nga lojtarët kyç në rrugëtimin drejt titullit.
Karriera e tij përfshin disa klube të njohura në rajon dhe më gjerë, si: Shkupi, UTA Arad, Zalgiris, Vllaznia, SKA Khabarovsk (Rusi), Bylis, dhe natyrisht Shkëndija, ku ka lënë gjurmë me paraqitje të forta dhe eksperiencë ndërkombëtare.
Ky transferim dhe ai i Lorik Boshnjaku ditë më parë, shihet si një hap strategjik për fuqizimin e Gjilanit për sezonin e ri në Superligën e Kosovës.