Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë përfaqësueset me të cilat është përballur thuajse më së shpeshti Kombëtarja e Kosovës në futboll (femrat). Dhe pikërisht me këto dy përfaqësuese, Kosova do të garojë në grup në edicionin e parë të Ligës së Kombeve për futbolliste.
Kosova është në grupin e pestë të Ligës C, që është niveli i tretë dhe më i ulët i Ligës së Kombeve. Liga e Kombeve ka kohë që organizohet te futbollistët, ndërsa te futbollistet do të fillojë për herë të parë në shtator.
Fituesi i grupit kalon në Ligën B dhe ky është synimi i Kosovës. E kaluara me Maqedoninë dhe Bullgarinë e mbush me optimizëm kapitenen e Kosovës, Erëleta Memeti.
Më 10 prill, Memeti shënoi supergol për fitoren 1:0 ndaj Bullgarisë në Sofje. Me Bullgarinë Kosova kishte fituar 2:1 edhe më 21 shkurt gjatë një turneu në Turqi. Deri më tani Kosova i ka fituar të gjitha katër ndeshjet me Bullgarinë. Me Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave zyrtare, ka katër fitore e një humbje.
Në short, Maqedonia V. ishte e fundit në vazon e parë, ndërsa Kosova e para në vazon e dytë. Bullgaria ishte e parafundit në vazon e tretë. Shorti është tërhequr në fillim të javës.
“Shorti është i mirë. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë përfaqësuese që i njohim dhe besojmë që kemi arritur nivel më të mirë se ato. Për këtë arsye jam optimiste për fitore dhe për sukses. Por e dimë që edhe dy rivalet e grupit do të jenë të motivuara të fitojnë. Janë ndeshje të rëndësishme edhe për ne. Besoj se secila vajzë në ekip do të jetë gati për këto ndeshje. Do të kemi kohë deri në shtator që të përgatitemi. Shpresoj që të gjitha të jemi të gatshme, pa lëndime”, ka thënë Erëleta Memeti për Kohën.
Liga e Kombeve është e ndarë në tri nivele. Në Ligën A garojnë përfaqësueset më të ranguara evropiane, ato prej 1 deri në 16. Në Ligën B garojnë përfaqësueset e ranguara nga pozita e 17-të e deri në 32, ndërsa në Ligën C përfaqësueset evropiane prej pozitës së 33-të e tutje.
Kosova më 26 shtator e luan ndeshjen e parë, në udhëtim ndaj Bullgarisë.
“Me Bullgarinë i kishim dy ndeshje së fundi dhe e dimë që nuk është lehtë të fitojmë. Por unë besoj që kur t’i kryejmë detyrat tona atëherë jemi ekip më i mirë se Bullgaria. Ne luajmë me top në tokë, me pasime. Bullgaria i ka disa përparësi, por ka edhe mungesa. Ne me kundërsulme do të kemi raste të mira. Njëjtë edhe Maqedonia e Veriut, ka lojtare të fuqishme si Bullgaria. Por kur e luajmë lojën tonë me pasime të ulëta e të shpejta, mund të kemi paraqitje të mira”, ka theksuar kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti.
Kosova edhe ndeshjen e dytë e luan në udhëtim. Me Maqedoninë e Veriut takohet më 27 tetor. Më 31 tetor e pret Maqedoninë e Veriut në “Fadil Vokrri”, ndërsa më 1 dhjetor e pret Bullgarinë.