Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë, ku është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me fokus të veçantë në përgatitjet për Zgjedhjet e Përgjithshme të 7 qershorit.
Sipas njoftimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza shprehu mirënjohje edhe për deputetin e deritanishëm, Ferat Shala, i cili ka vendosur të mos jetë më pjesë e garës zgjedhore.
Në këtë mbledhje, sipas njoftimit, u diskutua gjithashtu për mobilizimin e plotë të të gjitha strukturave të partisë për regjistrimin e votuesve dhe përkrahësve të PDK-së në mërgatë.
Po ashtu, thuhet në njoftim, se kryesia vendosi unanimisht që ish-kryetari Memli Krasniqi ta udhëheqë shtabin zgjedhor dhe fushatën e PDK-së.
“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e hapur dhe mirëpret të gjitha personalitetet që dëshirojnë të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë. PDK hyn në këtë proces zgjedhor me vizion të qartë, me ekip të përgatitur dhe me besimin se do t’i japë Kosovës drejtimin që meriton”, thuhet në njoftim.
