Mërgim Vojvoda: Në Zvicër presim përkrahje të madhe nga tifozët – qëllimi është për t’i marrë gjashtë pikë

Mërgim Vojvoda: Në Zvicër presim përkrahje të madhe nga tifozët – qëllimi është për t’i marrë gjashtë pikë

Kombëtarja e Kosovës po i vazhdon përgatitjet për ndeshjet e shtatorit, ndërsa atmosfera në tabor duket të jetë shumë pozitive.

Trupa e trajnerit Franco Foda po stërvitet që nga e hëna në kampin nacional në Hajvali, ndërsa të premten do të zhvillojë ndeshjen e parë kualifikuese të Botërorit kundër Zvicrës në udhëtim, e më pas, të hënën tjetër, do të presë Suedinë në shtëpi.

Mbrojtësi Mërgim Vojvoda, duke folur për faqen zyrtare të FFK-së, shprehu optimizëm para këtyre dy përballjeve, duke vlerësuar atmosferën në ekip dhe gatishmërinë e bashkëlojtarëve.

“Ne jemi duke u bërë gati për të shkuar për t’i marrë tri pikë. Atmosfera është shumë e mirë, e dimë se na presin dy ndeshje të rëndësishme.”, tha Vojvoda.

Ai pranoi se Zvicra dhe Suedia janë favoritë, por shpreson që Kosova të arrijë të marrë gjashtë pikë në këto dy sfida.

“E dimë se sa është e vështirë të shkojmë e të luajmë në Zvicër, por e dimë se e kemi mundësinë për të pasur shumë përkrahje nga tifozët tanë. Djemtë janë krejt të përgatitur, stërvitjet po shkojnë shumë mirë dhe jemi duke u bërë gati për të shkuar dhe për t’i marrë tri pikë.”, shtoi mbrojtësi.

Vojvoda nuk fshehu ambicien për rezultat maksimal: “Qëllimi është për t’i marrë gjashtë pikë. Natyrisht, dy kundërshtarët tanë janë favoritë, por ndonjëherë nuk i dihet, ndoshta më mirë është kështu, sepse presioni nuk është aq tek ne, por tek ata, si në Zvicër ashtu edhe këtu kundër Suedisë, shpresoj që ashtu do të jetë.”

Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e mbështetjes së tifozëve kosovarë: “Në Zvicër do të kemi shumë përkrahje, kështu që shpresoj që ajo do të na ndihmojë.”

Related Articles