Mërgimtarët drejt Kosovës, 95 fluturime vetëm gjatë fundjavës

Mërgimtarët drejt Kosovës, 95 fluturime vetëm gjatë fundjavës

Bashkatdhetarët në vendet e Evropës Perëndimore kanë nisur rrugën drejt Kosovës, ku vetëm të dielën e 11 korrikut, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, janë planifikuar 44 fluturime në arritje, ndërsa një ditë më parë janë realizuar 51 fluturime.

Këtë e kanë konfirmuar Zyra për Informim nga Aeroporti i Prishtinës, teksa është bërë e ditur se numri i fluturimeve është rritur veçanërisht gjatë vikendit.

”Nga dita e hënë deri në ditën e premte janë realizuar 171 fluturime në arritje, të shtunën janë realizuar 51 fluturime ndërsa këtë të diel janë të planifikuara 44 fluturime në arritje”, thuhet në përgjigjen e aeroportit.

Duke qenë që Kosova ka hyrë në listën e shteteve të sigurta sa i përket pandemisë COVID-19, lehtësimi i masave, rënia e numrit të rasteve me të infektuar e të vdekur si dhe vaksinimi masiv ka bërë që mërgimtarët t’ia mësyjnë vendlindjes.

Përveç ardhjes së tyre me transportin ajror, mërgimtarët po i shfrytëzojnë edhe mënyrat e transportit nëpërmjet rrugëve tokësore.

Ndërsa, Zyra për Informim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, rreth statistikave për numrin e udhëtarëve që kanë hyrë nëpërmjet kufijve tokësorë.

Sipas statistikave, për tri ditët e fundit, nga data tetë e deri më 10 korrik, është vërejtur një frekuentim i madh i trafikut tokësor, ku brenda këtyre tri ditëve në Kosovë kanë hyrë mbi 100 mijë persona të kontrolluar në pikat kufitare Vërmicë, Merdare dhe Han i Elezit.

“Nga data 8 e deri më 10 korrik janë gjithsejtë 109 mijë e 818 persona të kontrolluar në pikat kufitare Perëndim, Veri dhe Lindje, me të cilat kufizohet Kosova”, thuhet në raportin e policisë.

Sa i përket veturave të kontrolluara dhe autobusëve që shërbejnë si mjet transporti i njerëzve, bazuar në këto statistika, janë gjithsejtë 36 mijë e 810 kurse numri i autobusëve shkon deri në 952.

Pos kësaj, ardhja e diasporës po konsiderohet edhe një ngjallje e ekonomisë së Kosovës.

Related Articles