Diaspora e Kosovës vazhdon të jetë njëra ndër shtyllat kryesore për ekonominë e Kosovës. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se remitancat e pranuara në Kosovë arritën vlerën prej 1.22 miliardë euro, me rritje vjetore prej 6.0 për qind, që përfaqëson 13.7 për qind të BPV-së.
“Rritja e ngadalësuar e remitancave gjatë vitit 2022 mund t’i atribuohet deri në një masë, përkeqësimit potencial të pozicionit financiar të diasporës kosovare, si pasojë e rritjes së kostos së jetesës me rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve, rritjes së normave të interesit e për pasojë shtrenjtimit të borxhit, dhe dobësimit të kërkesës së përgjithshme në eurozonë”, thuhet në “Raportin e Stabilitetit Financiar”, të BQK-së, raporton RTKlive.
Sipas këtij raporti, duke qenë se shumica e remitancave vijnë nga vendet e eurozonës, e që janë mbi 60.2 për qind, pasiguritë rreth dinamikave makroekonomike në vitin ë rrisin pasiguritë për këto të hyra të rëndësishme për ekonominë e vendit (13.7 për qind e BPV-së), duke vështirësuar tutje pozicionin e ekonomive familjare në vend, me efekte potenciale indirekte në dinamikat e rrezikut kreditor.
Po ashtu për vitin 2023, sipas BQK-së, rreziqet kryesore për stabilitetin financiar në nivel global vazhdojnë të mbesin tensionet e rritura gjeopolitike, ritmi i ngadalshëm i rënies së inflacionit (inflacioni bazë mbetet i lartë), dhe për pasojë, vazhdimi i shtrëngimit të politikave monetare përmes rritjes së normave të interesit – dinamikë që rrezikon të mbaj eurozonën, vendet e rajonit dhe Kosovën në një ambient me aktivitet të dobësuar ekonomik.
“Për vitin 2023, presionet inflacioniste si dhe pasiguritë rreth aktivitetit ekonomik pritet të kenë ndikim në rënien potenciale të kërkesës për kredi dhe shkallën e përgjithshme të ndërmjetësimit financiar”, thuhet në raport.