Klubet kosovare po shënojnë edhe një sezon tjetër në garat evropianë, që nga pranimi i Kosovës në UEFA, në vitin 2016.
Mirëpo, paraqitjet e sivjetme po lë shumë për të dëshiruar.
Ballkani u mposhtë në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve nga UE Santa Coloma e Andorrës, dhe kështu do të vazhdojë garën në Ligën e Konferencës.
Aty, kampioni i Kosovës do të ketë punë me Hamrun Spartans, me takimin që luhet në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për këtë kompeticion.
Në këtë fazë do të luajë edhe Llapi, i cili ra nga Liga e Europës, pasi u mposht nga Wisla Krakow.
Llapjanët e Tahir Batatinës do të kenë punë jo të lehtë në këtë fazë, pasi ndeshen me gjigantin danez, Brondby.
Nga kjo fazë, Llapit e Ballkanit i bashkangjitet edhe Drita.
Klubi nga Gjilani do të ketë punë me Breidablik të Islandës.
Islandezët deri më tani arritën të eliminojnë Tikvesin e Maqedonisë së Veriut.
Mirëpo, në rast se do të kalojnë fazën e dytë, interes për klubet kosovare dhe tifozët e tyre do të ketë edhe për turin e tretë.
E për këtë fazë, shorti do të hedhet më 22 korrik në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës.