Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ndërkaq, homologu i tij kosovar, Albin Kurti, tha se një raport zyrtar do të zbardhë gjithë ngjarjen.
Gjatë një konference për media, pas takimit në Shkup me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Mickoski tha se nuk dëshiron që incidente të tilla të përsëriten, teksa shtoi se dy shtetet kanë raporte të mira.
Kryeministri maqedonas tha se herën tjetër kur Osmani të përdorë Aeroportin e Shkupit për udhëtime, ai personalisht do ta shoqërojë “deri në momentin kur të largohet”.
Ai po ashtu tha se autoritetet e Aeroportit në Shkup aplikojnë masa standarde të sigurisë, sa i përket fluturimeve komerciale.
Kurti, ndërkaq, tha se takimi me homologun maqedonas, ishte “i hapur, i sinqertë dhe serioz”.
Kjo vizitë në Shkup e Kurtit, së bashku me një delegacion ministrash, u zhvillua në kohën kur raportet u acaruan për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit.
Kurti tha se gjatë takimit, autoritetet maqedonase shprehën sërish keqardhje për ngjarjen ku u përfshi Osmani.
“Ka qenë përvojë dhe përjetim i rëndë i presidentes Osmani më 1 gusht, aq më tepër që ishte me dy vajzat e vogla”, tha Kurti.
Ai tha se po pret një raport, pas hetimit zyrtar, që do të zbardhë të gjithë atë që ka ndodhur.
“Do të ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje në tërësi, edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten më kurrë situata të tilla”, tha ai.
Kryeministri kosovar u pyet nëse Kosova mban qëndrimin se kjo ngjarje ishte provokim. Por, Kurti tha se nuk e di që institucionet kanë pasur një qëndrim të tillë dhe këtë mund ta ketë thënë ndonjë “qytetar”, por jo edhe institucionet e Kosovës, duke theksuar se Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës përmes njoftimeve, ka shprehur qëndrimin e Qeverisë.