Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar ndaj veprimeve të kryeministrit Albin Kurti ndaj ftesës së Prokurorisë Speciale, duke thënë se ai po sillet si prokuror, shkruan Enigma.
Miftaraj ka ironizuar duke thënë se nëse Kurti po sillet si prokuror, atëherë nuk do të ishte keq që ai të merrte kompetenca edhe nga Kodi Penal i Kosovës për të zhvilluar hetime ndaj prokurorëve të Prokurorisë Speciale.
“Le të zbatojë kapitullin e veprave penale kundër administratës së drejtësisë. Prokurorët nuk e zbatojnë kurrë këtë kapitull për të ruajtur integritetin e procedurës penale, ndaj dikush duhet ta zbatojë, që të mos mbetet vetëm si dekor në Kodin Penal. Arbitrariteti le të shkojë deri në fund”, ka shkruar Miftaraj.
Ai ka shtuar se prokurorët e Kosovës kanë pasur mundësinë gjatë pesë viteve të fundit të mësojnë nga kolegët e tyre në Gjykatën Speciale në Hagë për mënyrën e ruajtjes së integritetit të procedurës penale dhe gjyqësore. Miftaraj ka përfunduar duke theksuar se për këtë detyrë duhen prokurorë që nuk frikohen nga hijet e tyre dhe që nuk janë të “dashuruar përsëri” me sistemin.
Lexo edhe: