Skuadra e Drenicës e kishte nisur këtë edicion në Superligën e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme.
Falë rezultateve pozitive, madje drenicasit për disa javë ishin edhe në krye të tabelës duke i sfiduar të “mëdhenjtë” e kampionatit.
Por, në fund të stinorit vjeshtor, gjërat morën drejtim të pakëndshëm te klubi nga Skënderaj.
Me largimin e kryesisë së klubit, nisën problemet financiare, derisa futbollistët që drejtohen nga Tahir Lushtaku nuk morën për disa muaj rresht pagat që iu takojnë.
Ndonëse ishte përfolur se në krye të klubit mund të vijnë investitorë të huaj, me gjasë një marrëveshje mes palëve nuk është arritur dhe se tashmë Drenica ka vendosur për kryesinë e re.
FrontOnline mëson se në krye të Drenicës është rikthyer sërish Mihane Kodra-Bekteshi.
Bekteshi ka qenë edhe më parë në krye të Drenicës, derisa tashmë ka vendosur që sërish të rikthehet te klubi i vendlindjes.
Gazeta e ka kontaktuar biznesmenen drenicase, derisa ajo e ka konfirmuar rikthimin te Drenica.
“Po do të rikthehem, nuk isha e interesuar në fillim ta marr këtë barrë, por tani mund të konfirmoj se jam presidentja e re e klubit”, ka thënë fillimisht Mihane Kodra-Bekteshi për FrontOnline.
Tutje, ajo zbuloi edhe gjendjen katastrofale te klubi i Drenicës para rikthimit të saj.
“Gjendja e lënë nga kryesia paraprake ka qenë katastrofale. Futbollistët ishin minus pesë rroga, por me ndihmën e komunës dhe të donatorëve, tashmë tre paga janë paguar. Do të mundohemi ta vëmë në binarë klubin shumë shpejt”, deklaroi Kodra-Bekteshi të enjten.
Ndryshe, Mihane Kodra-Bekteshi ka qenë edhe kandidate për deputete në zgjedhjet nacionale të vitit 2021, por që nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për një ulëse në parlament.
Drenica stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës e mbylli në vendin e gjashtë me 23 pikë të tubuara, derisa këtë fundjavë e hap stinorin pranveror me ndeshjen ndaj Prishtinës në Kupën e Kosovës.