Titulli kampion nuk do të lëvizë nga Milano as këtë vit, por trofeu mund të ngjyroset kuqezi, ndryshe nga sezoni i kaluar kur triumfuan zikaltrit e Antonio Contes.
Dy javë kanë mbetur për t’u luajtur në Serie A, aty ku Milani (80) kryeson me dy pikë mbi Interin (78), me ekipin e Stefano Piolit që është në avantazh në duelet direkte me rivalët e përjetshëm.
Ish-kapiteni i njohur i Interit, Giuseppe Bergomi thekson për GDS se Milani është favorit, teksa zbulon edhe problemi e djemve të Simone Inzaghit.
“Titulli? Milani ka 75% shanse për ta fituar, Interi 25%. Zikaltrit meritojnë 5% më shumë për faktin që fituan Kupën e Italisë, por kuqezinjtë kanë kalendar më të mirë.
Nuk mund të them që e ka humbur vetë Interi këtë titull, pasi Milani do e meritonte nëse ia del. Djemtë e Piolit janë shfaqur ekip më solidë se Interi dhe Napoli.
Inzaghi ka bërë një punë shkëlqyer. Ata ishin të papërballueshëm në periudhën nëntor-dhjetor, por futbolli i Inzaghit kërkon shumë energji”, theksoi Bergomi.