Ministria e Ekonomisë ka propozuar shtimin e blloktarifave për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë (kWh) energji elektrike në muaj.
Ky propozim është paraqitur në komentet e dorëzuara Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me rritjen e planifikuar të çmimit të energjisë prej 15 për qind, e cila pritet të hyjë në fuqi nga prilli.
Në një komunikatë për media, Ministria e Ekonomisë ka theksuar se Qeveria e konsideron të nevojshme një shpërndarje më të drejtë të barrës financiare të rritjes së çmimit, duke reflektuar ndarjen e konsumatorëve në kategori të ndryshme sipas nivelit të konsumit.
“Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kWh”, thuhet në njoftim.
Për këtë propozim, Ministria e Ekonomisë ka thënë ka marrë për bazë disa trendë.
Ndërkohë, Ministria ka thënë se ka “ndërmarrë dhe jemi duke ndërmarrë çdo veprim të mundshëm për të kufizuar ndikimin në tarifa të konsumatorëve”.
Këtu ka thënë se hyn mosshtrenjtimi i energjisë që shitet nga KEK-u. Po ashtu ka thënë se në periudhën 2022-2024 ka pasur ulje të importit, e se edhe konsumi i amvisërisë është stabilizuar, sipas Qeverisë, për shkak të vendosjes së blloktarifës në tre vjetët e fundit.
“Të dhënat e disagreguara tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e konsumit gjatë dimrit vjen nga një përqindje e vogël e konsumatorëve. Për shembull, në nëntor 2024, 12% e amvisërive (me konsum mbi 1000 kWh) kanë konsumuar 39% të energjisë elektrike të gjithëmbarshme; ose, në janar 2025, 9% e konsumatorëve (me konsum mbi 2000 kWh) kanë konsumuar 29% të energjisë së gjithëmbarshme elektrike, dhe më shumë se të gjithë konsumatorët që kanë shpenzuar nën 800 kWh së bashku (sipas të dhënave nga furnizuesi)”, thuhet në një nga trendët e përmendur nga ME-ja.
Sipas Ministrisë, është rritur dukshëm shpenzimi i energjisë nga bizneset.
Po ashtu, ME-ja ka njoftuar se sivjet KEK-u do të nisë investime në rehabilit të Termocentralit Kosova B dhe do të ketë ndalje disamujore të blloqeve në periudhën 2025-2027.
“Investimet në TC Kosova B janë të domosdoshmë për të parandaluar ndërprerje serioze në furnizim. Kontributi juaj sot siguron zgjatje të jetëgjatësisë së termocentralit për 20 vite, prodhim të rregullt dhe ulje të ndjeshme të ndotjes së ajrit dhe varësisë nga importet e shtrenjta. Investimet rrisin kapacitetin e termocentralit për 80 MW dhe prodhimin vjetor për 600 GWh, duke ulur importin për së paku 23 milionë Euro në vit dhe rritur eksportin për së paku 20 milionë Euro në vit”, thuhet në njoftim.
Ministria ka thënë se modernizimi i sistemit energjetik merr kohë, po “ai siguron përfitime afatgjata për ekonominë dhe shëndetin tonë dhe të brezit të ardhshëm”.
“Ndërkohë, kufizimi i nevojës për import të energjisë elektrike përmes rritjes së efiçiencës dhe uljes së konsumit janë thelbësore që këtë periudhë vendi ta kalojë me sa më pak ndikim”, thuhet në njoftim.
Qeveria është zotuar se në vitet e ardhshme do të investojë në ndërtim të kapaciteteve të reja gjeneruese nga era dhe dielli, bateri për ruajtje të energjisë, zgjerim të rrjetit dhe rritje të kapacitetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, dhe në afat të mesëm ndërtimin e sistemeve të reja të ngrohjes qendrore në qytete të tjera.
Blloktarifa prej 800 kilovatësh në muaj ishte caktuar në vitin 2022. Kushdo që shpenzonte mbi 800 kilovatë në muaj tarifat shtrenjtoheshin ndjeshëm.