Ministria e Ekonomisë ka lëshuar një thirrje për qytetarët e Kosovës në lidhje me aplikimin për subvencionim të efiçiencës energjetike në shtëpitë individuale.
Aktualisht, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka hapur thirrjen për subvencione, të cilat kërkojnë një raport të auditimit nga Auditorët e Certifikuar të Energjisë.
Në një komunikatë, Ministria e Ekonomisë ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së qytetarëve nga abuzimet me çmime dhe ka inkurajuar denoncimin e çdo dyshimi për keqpërdorime pranë institucioneve kompetente, si Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
“Aktualisht Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka të hapur thirrjen për subvencionim të efiçiencës në shtëpitë individuale, për të cilën kërkohet raport i auditimit nga një ndër Auditorët e Certifikuar të Energjisë. Për t’u siguruar që të gjithë qytetarët janë të mbrojtur nga abuzimet me çmime, ju inkurajojmë që të raportoni çdo dyshim për abuzim tek Autoriteti i Konkurrencës, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në MINT: 0800 11000 apo/edhe Divizionin e Efiçiencës së Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë: 038 200 215 55. Në lidhje me këto shqetësime, Ministria e Ekonomisë ka ndarë me të gjithë auditorët sqarimin se ata duhet të respektojnë në përpikëri rregulloren për Sistemin e Ofruesve te Shërbimit Energjetik dhe Kriteret Minimale për Auditim Energjetik 05/2020 si dhe Kodin e Mirësjelljes, thuhet në njoftim (Kliko këtu)”.
“Në këtë kontekst, auditorëve të energjisë u është bërë thirrje që të aplikojnë çmim për shërbim që është i arsyeshëm dhe në harmoni më kriteret te cilat janë përcaktuar nga FKEE dhe të mos bëjnë veprime që mund të duken abuzive më këtë proces. Po ashtu, është kërkuar nga Auditorët e Energjisë që të mos anashkalojnë aplikuesit potencial në regjione të caktuara duke marrë për bazë se detyra e tyre është ofrimi i shërbimeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Për secilën ankesë të pranuar nga qytetarët dhe për secilin raportim të ndonjë shkeljeje të kodit të mirësjelljes, Divizioni respektiv brenda Ministrisë së Ekonomisë do të marrë masa ligjore konform autorizimeve që derivojnë nga rregullorja 05/2020”, thuhet në njoftim.