Ministrit të Shëndetësisë së Serbisë, Zllatibor Llonçar, i është ndaluar hyrja në Kosovë.
Kjo pasi së fundmi autoritetet e Serbisë refuzuan kërkesën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çekut, për ta vizituar Preshevën.
Për këtë rast është deklaruar edhe Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, ka dorëzuar kërkesën për vizitën e Ministrit Çeku më 20 mars 2025, ndërsa nuk ka marrë asnjë përgjigje nga pala serbe deri më 26 mars, ditën kur ishte planifikuar vizita. Nga ana tjetër, pala serbe ka parashtruar kërkesën e saj më 24 mars, pra katër ditë pas kërkesës sonë, dhe ka kërkuar që vizita e tyre të marrë përparësi. Pra që ne ta miratojmë kërkesën e tyre para se ata të trajtojnë kërkesën tonë ani pse ne të paret kemi bërë kërkesën”, njofton MPJD
Më tej ata shtojnë se kjo situatë është një shembull i qartë i qasjes destruktive të Serbisë duke synuar të imponojnë njëanshmëri në trajtimin e vizitave zyrtare.
“MPJD rithekson se qasja e Kosovës do të mbetet e bazuar në reciprocitet dhe duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës”.