Ministrja e Gjermanisë premton mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën

Ministrja e Gjermanisë premton mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën


Gjermania do vazhdojë ta mbështesë Ukrainën, të paktën kështu tha Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock teksa nisi vizitën e tetë në Kiev, që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj më 2022, transmeton Gazeta Enigma.

“Gjermania, së bashku me partnerët në mbarë botën, qëndron fort në anën e Ukrainës”, tha Baerbock përmes një deklarate, teksa lufta në Ukrainë është duke shkuar drejt vitit të katërt.

Tutje ajo theksoi se “Ne do të mbështesim popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që ata të shkojnë drejt rrugës së një paqeje të drejtë”, shtoi kryediplomatja gjermane.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. Në garën presidenciale amerikane janë nënpresidentja demokrate, Kamala Harris, që ka premtuar vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës, dhe ish-presidenti republikan, Donald Trump, i cili ka përmendur një zgjidhje të shpejtë për luftën.

Baerbock përmendi rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës së energjisë së Ukrainës nga shkatërrimi gjatë sezonit të dimrit.

Ajo tha se Gjermania do të ndihmojë në luftimin e fushatës “brutale” të Rusisë, në mënyrë që “ukrainasit jo vetëm të mbijetojnë gjatë dimrit, por edhe shteti i tyre të mund të mbijetojë”.

Gjermania, mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës pas SHBA-së, ka dhënë 170 milionë euro ndihmë emergjente për të ndihmuar vendin që të mund t’ia dalë gjatë dimrit.

Related Articles