Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ka kërkuar njohjen nga Greqia, e që sipas saj kjo e fundit nuk ka kushtëzime për ta njohur Kosovën.
“E kam kërkuar njohjen nga Greqia, para më pak se një viti kur ministri i jashtëm i Greqisë e ka vizituar Kosovën, dhe edhe Greqia edhe Spanja edhe Rumania kanë kufizime të një natyre tjetër që kanë të bëjnë me pozicionin e tyre në raport me Politiken ndërkombëtare”.
Sipas Gërvalles, “ato më së paku kanë të bëjnë me zhvillimet politike në Kosovë, apo të themi gazin”.
Gjatë emisionit në ATV, e para e MPJ-së u pyet edhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ajo ka thënë se arsyeja përse akoma nuk janë ftuar në Shtëpinë e Bardhë është situate me pandeminë COVID-19.
“Marrëdhëniet me SHBA e ka thënë ambasadori gjerman, asnjëherë nuk kanë qenë më të ngushta sesa që janë sot, është e vërtetë që takimet e atij niveli akoma nuk kanë ndodhur, por kjo për shkak të pandemisë, mirëpo edhe ato takime do të vinë”.
Ndërsa shtoi se, “ju nuk po kritikoni bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, por po e lidhni me një segment i cili thotë nuk jeni takuar akoma personalisht”.
Sa i përket emërimit të ambasadorëve, Gërvalla, tha se është informacion i vjetërsuar dhe se janë ende në proces të emërimit të ambasadorëve në disa vende.
“Informacioni që ne nuk kemi ambasador është informacion shumë i vjetërsuar, ambasadori në Turqi është në proces të sipërm, ambasadori është emëruar vetëm se për çështje të konfidencialitetit nuk më lejohet akoma ta bëjë emrin publik”.
E pyetur që partia, “Lista Guxo”, të ketë mundësinë të krijojnë grupe parlamentare, ajo u shpreh se nuk do ta bënin një gjë të tillë.
“Edhe sikur të kishim mundësi të krijonim grupin parlamentar, nuk do ta krijonim për t’i bërë opozitë lëvizjes vetëvendosje me të cilën bashkëqeveresim, por do ta krijonim për të bërë mekanizma të cilat mund të kenë një punë parlamentar edhe më aktive edhe më intensive”.
Ajo për votat të cilat kishin fituar në zgjedhjet parlamentare, është deklaruar se ishin edhe meritë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“70 mijë vota që unë kam marrë në zgjedhjet e kaluara, kanë qenë vota të pastra të atyre që ne i llogarisim si ish mbështetës të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe që ne I llogarisim si njerëz të cilët potencialisht janë të interesuar në politikën që ne ofrojmë”.
Ndryshe, me 27 janar, është bërë e ditur se Dren Doli do të jetë ambassadori i ri i Kosovës në Holandë.
Doli, përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, ka bërë të ditur se gjatë ditës së mërkurë të 26 janarit i ka paraqitur letrat kredenciale Mbretit të Hollandës, Willem Alexander.