Ministrja Haxhiu: Testimi i virgjërisë nuk ka lidhje me fenë

Ministrja Haxhiu: Testimi i virgjërisë nuk ka lidhje me fenë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka treguar se si ka lindur nevoja për ta kthyer në vepër penale testimin e virgjërisë.

Duke folur në “Euronews Albania”, Haxhiu tha se vendimi erdhi pas raportimeve të kahershme nga mjekësia ligjore, se shumë njerëz bëjnë edhe testime të virgjërisë.

Ajo tutje tha se testi i virgjërisë bëhet edhe në Shqipëri dhe nuk ka lidhje me fenë, si kundërpërgjigje për aktivistin Altin Hazizaj, që e lidhi këtë test me ndikimin e madh të fesë në Kosovë.

“Më duhet ta kundërshtoj fuqishëm se nuk besoj se ka të bëjë me fenë, është gabim ta thuash. Si Kosova dhe Shqipëria kanë probleme të njëjta në këtë drejtim, dhe raste të tilla të testit të virgjërisë bëhen edhe në Shqipëri, ndaj edhe Shqipëria duhet ta hapë si diskutim këtë për të mbrojtur gratë”, tha Haxhiu.

Veç kësaj, ministrja Haxhiu, ka folur edhe për rastin e përdhunimit të 11-vjeçares.

Ajo u shpreh se shtimi i rasteve të dhunës në familje dhe abuzimeve seksuale është shqetësues në Kosovë, ndaj ndryshimet në kodin penal janë pritur shumë mirë.

Sipas saj, në rastin e abuzimit të 11-vjeçares është dëshmuar dështim i sistemit të drejtësisë.

“Në Kosovë ndryshimet në kodin penal janë pritur shumë mirë. Gratë dhe vajzat në Kosovë nuk janë të sigurta në shtëpitë e tyre. Një përqindje e vogël e dhunës raportohet. Në rastin e vajzës 11-vjeçare kemi parë dështimin e sistemit që nuk ka mundur ta mbrojë”, tha ministrja Haxhiu.

Related Articles