Me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Mitrovicës, përfaqësues të institucioneve, organizatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, si dhe shumë qytetarë tjerë, kanë bërë homazhe dhe vendosën lule në varrezat e dëshmorëve në Mitrovicë, raporton Gazeta Enigma.
Gjatë kësaj ngjarje u vlerësua lart kontributi i jashtëzakonshëm i 76 dëshmorëve nga komuna e Mitrovicës, të rënë në luftën e fundit për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Faruk Mujka, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, tha se përulja para këtyre dëshmorëve është më e pakta që institucionet mund të bëjnë, ndërsa kërkoi drejtësi në mënyrë që amaneti dhe vizioni i këtyre dëshmorëve të shkojë deri në fund.
“Sot si gjithmonë, sa të ketë Kosovë dhe komb shqiptar, do të vimë këtu dhe do të përulemi më 6 qershor në Ditën e Dëshmorëve të komunës tonë. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë si institucione komunale, por edhe si institucione të Republikës së Kosovës. Gjithsesi familjarët e dëshmorëve presin me të drejtë nga komuna e Mitrovicës që të ketë më shumë drejtësi, prosperitet, për fëmijët dhe familjet e dëshmorëve, dhe ky është obligim i ynë të cilin duhet ta përmbushim, në mënyrë që amanetin dhe vizionin e dëshmorëve tonë ta cojmë deri në fund”, ka thënë Mujka.
Rafet Ibishi, kryetar i organizatës së veteranëve të luftës së UCK-së në Mitrovicë, ka porositur gjeneratat e reja se dëshmorët nuk duhet harruar kurrë, ngase falë gjakut të tyre sot shteti I Kosovës gëzon lirinë.
“Kemi dalë masovikisht me i nderu dëshmorët. Një nderim sado i vogël për t’ju tregu gjeneratave të reja se nuk bënë me i harru, dhe se çdo herë duhet me i kujtua, sepse falë gjakut të tyre ne sot gëzojmë lirinë”, theksoi Ibishi.
Ndryshe, për shkak të gjendjes së përgjithshme me pandeminë, këtë vit nuk janë mbajtur aktivitete tjera sikurse më parë./Gazeta Enigma/