Puntorët e Flotacionit dhe Sigurimi fizik në Trepçë ende s’i kanë marrë pagat e muajit maj, teksa për këtë e kanë fajësuar ministrinë dhe menaxhmentin e Trepçës.
“Mjaft me heshtjen dhe diskriminimin ndaj punëtorëve! Tash e disa ditë, kur do të duhej të ishin ekzekutuar pagat e muajit maj për të gjithë punëtorët e Flotacionit, sigurimit fizik, jemi përballur me një padrejtësi të radhës dhe diskriminim të hapur. Puntorët e Flotacionit dhe Sigurimi fizik nuk i kanë marrë pagat fare dhe kjo po ndodh në heshtjen e plotë të Ministrisë së Linjës, Bordit dhe Menaxhmentit të Ndërmarrjes”, theksohet në reagimin e tyre.
“Pavarësisht sakrificave ditore në kushte ekstreme pune, pa furnizime, pa investime, kur ne arrijmë rekorde prodhimi për vite me radhë, ju institucionet përgjegjëse heshtni, duke na shpërblyer me zero. Ky është fyerje për çdo punëtor që rrezikon jetën çdo ditë pune mbi tokë, nën tokë!
Ministri, Bordi dhe Menaxhmenti, ju jeni përgjegjës për këtë kaos dhe mungesë totale të organizimit! Në vend se të mbroni interesin e punëtorëve, po i shtyni në skaj të durimit me vonesat, ndarjet selektive të pagave dhe kushte çnjerëzore të punës”. |
Ata thonë se “nuk do të ketë më heshtje përballë këtij diskriminimi”. “Nëse nuk ka reagim urgjent dhe ekzekutim të menjëhershëm të pagave për të gjithë punëtorët pa përjashtim, ne si Sindikatë do të ndërmarrim masa të forta sindikale dhe protesta publike.
Minatorët nuk janë numra! Janë njerëz që punojnë me dinjitet në vendin më të vështirë dhe më të rrezikshëm të punës. Stop lojërave me jetën dhe djersën e tyre” thuhet në reagim. / Gazeta Enigma.