Mjeku kosovar në Gjermani: Kosova të përgatitet për valën e re të COVID në dhjetor ose janar

Mjeku kosovar në Gjermani: Kosova të përgatitet për valën e re të COVID në dhjetor ose janar

Numri i rasteve me COVID-19 dhe rasteve me variantin e ri të këtij virusi ka filluar të rritet.

Në disa shtete të botës, ka filluar vala e re e infektimeve më variantin Delta Plus.

E në mesin e shteteve, të cilat po përballën me këtë valë është edhe Gjermania.

 Mjeku kosovar në Gjermani: 80% e pacientëve me COVID nuk janë të vaksinuar

Lidhur me situatën aktuale në këtë shtet ka folur për Front Online, mjeku kosovar i cili punon në Gjermani, Kujtim Pllana.

Pllana tregoi se shumica e pacientëve që trajtohen Coronavirus në Gjermani janë të pa vaksinuar.

“Momentalisht në Gjermani situata nuk është shumë e mirë për shkak se po përballemi me një valë të re të infeksionit. Shumica e pacientëve që janë të hospitalizuar më shumë se 80 % janë të pa vaksinuar, numri i të infektuarve në Gjermani është rritur shumë, ky shtet ka mbërri gati maksimumin e të infektuarve për një ditë”, tha Pllana.

 Paralajmërimi për Kosovën: Në dhjetor ose janar, vala e re e infektimeve me Covid

Mjeku kosovar i cili punon në Gjermani ka folur edhe për situatën me COVID-19  në Kosovë.

Ai tha se Kosova duhet të përgatitet për valën e re që do të jetë në dhjetor apo në janar.

“Kosova duhet të përgatitet për një valë të re e cila besoj që do të vie në fund të vitit me ardhjen e festave edhe me lëvizjen e njerëzve nga shtetet perëndimore në drejtim të Kosovës, ndërsa vala e re mund të ndodh në dhjetor ose në janar”, njoftoi Pllana për Front Online.

Sipas tij, shtimi i rasteve në Kosovë do të jetë edhe për shkak të fushatës zgjedhore.

“Shtimi i rasteve pas fushatës zgjedhore dhe zgjedhjeve besoj që do të ndodhë pasi që ka pasur tubime të pa matura dhe të pa planifikuara mirë të cilat kanë pas qëllime tjera e jo mbrojtjen dhe shëndetin e qytetarëve”, shtoi ai për Front Online.

Mjeku kosovar: Vaksinimi me dozën e tretë kundër Covidit është i nevojshëm

Disa shtete tani veç se kanë filluar edhe me marrjen e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19.

Pllana tha se marrja e dozës së  tretë është e nevojshme në veçanti për disa kategori të personave.

“Vaksinimi me dozën e tretë është i nevojshëm për personat që kanë imunitet të komprometuar dhe personat mbi 65 vjeç dhe kanë një ose më shumë sëmundje kronike për të bërë freskimin e sistemit imunitar me vaksinim”, tha ai. /Gazeta Enigma.

Related Articles