Mobilizim për dozë të tretë anti-COVID, vendi vlon nga gripi sezonal

Mobilizim për dozë të tretë anti-COVID, vendi vlon nga gripi sezonal

Qytetarët, që morën dy doza të vaksinës kundër COVID-19, i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë për ta marrë edhe dozën e tretë apo përforcuese. Interesim i madh u pa në kryeqytet, teksa janë shtuar edhe rastet që paraqiten me gripin sezonal në qendrat e kujdesit parësor.

Salla 1 tetori në mesditën e së enjtes u mbush më shumë se ditët e tjera me qytetarë, që erdhën për t’u vaksinuar.

Nga më shumë se 1 mijë doza të administruara këtë ditë, në këtë qendër të vaksinimit, shumica ishin doza të treta apo përforcuese. Pas dy dozave të vaksinës kundër COVID-19, që morën muaj më parë, një çift erdhi të merrte edhe dozën e radhës, pas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Le të vinë ta kryejnë obligimin, ajo është më së miri”, ka thënë Qemajl Leti. “Duhet me marrë secili, është e obligueshme edhe s’kemi çka me ba”, ka vazhduar Hajrie Leti.

Derisa, Niman Bardhi, koordinator në sallën 1 tetori, tha se në ditën e parë, kur ka filluar administrimi i dozës së tretë, është parë interesim i madh i qytetarëve, teksa tregon mënyrën se si do njoftohen.

“Të gjithë qytetarët e marrin mesazhin paraprakisht përmes platformës dhe aty u tregohet koha se kur duhet të vinë me marr, me qëllim që t’i ikim numrit të madh të qytetarëve që të mos krijojmë tollovi në institucionet tona”, ka njoftuar ai.

Ai tutje tregoi se kanë doza të mjaftueshme të vaksinave anti-COVID dhe se doza e tretë do jetë vaksina e kompanisë ‘Pfizer’.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se të gjitha qendrat e vaksinimit ofrojnë dozën përforcuese dhe se të gjithë qytetarët, që kanë kaluar 6 muaj nga marrja e dozës së dytë, mund ta marrin atë.

“Qytetarët që kanë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë lajmërohen përmes SMS për terminin për marrje të dozës përforcuese. Të tjerë që nuk kanë lënë numra telefoni, lajmërohen përmes imelit, dhe përmes njoftimeve publike”.

“Pavarësisht kësaj, kushdo që bën 6 muaj nga marrja e dozës së dytë, mundet lirisht t’i drejtohet qendrës më të afërt të vaksinimit për të marrë dozën përforcuese. Pra është një procedure dhe qasje shumë e thjeshtë. Të gjitha qendrat e vaksinimit ofrojnë dozën përforcuese, mjafton vetëm që qytetarët t’i përgjigjen këtij procesi”, kanë thënë nga MSH-ja.

E në po këtë sallë qytetarët ende mund ta marrin edhe vaksinën e gripit sezonal.

Në ditët e fundit, qendrat e mjekësisë familjare janë duke u përballur me trefishim të rasteve që paraqiten për ta marrë trajtimin për grip. Sipas drejtorit të QKMF-së, në Prishtinë, me një gjendje të tillë janë duke u përballur edhe në kryeqytet, teksa tregon për moshën më të prekur.

“Numri më i madh i qytetarëve të cilët tani janë të atakuar janë moshat fëmijërore, prej moshës 6 e 15 deri ato 17 vjeçare”, ka thënë ai.

Gashi tutje thotë se po të respektoheshin masat anti-COVID, nuk do kishte edhe kaq përhapje të madhe të gripit sezonal.

“Sikur t’i kishim zbatuar masat kundër COVID-19 në përpikëri unë po besoj se nuk do ta kishim këtë gjendje sepse edhe ato masa që janë kundër COVID, do të kontribuonin pozitivisht që ky virus të mos përhapej”, ka deklaruar më tej Gashi.

Sipas MSH-së, deri tash në Kosovës mbi 50 mijë qytetarë e kanë marrë vaksinën e gripit sezonal. Nga ky institucion kanë thënë se gripi sezonal këtë vit është shfaqur më i ashpër, sesa viteve të kaluara, teksa apelojnë për t’u vaksinuar.

“Gripi sezonal, këtë vit është duke u shfaqur më ashpër se vitin e kaluar. Janë regjistruar raste të gripit sezonal dhe ka mjaft raste, gjithashtu, të ngjashme me gripin, infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, etj.

“MSh ka siguruar 140 000 doza të vaksinës dhe deri tash mbi 50 000 qytetarë kanë marrë vaksinën kundër Gripit sezonal, kryesisht nga kategoritë që vaksinohen, si të sëmuret kronike, personat e moshuar, shtatzënat dhe lehonat, profesionistët shëndetësor, etj”.

“MSH u bënë thirrje qytetarëve nga këto kategori që të vaksinohen sa më parë që kanë mundësi, sepse sezoni i sivjet i gripit sezonal duket më i ashpër se vitin e kaluar”, kanë deklaruar nga Ministria e Shëndetësisë./Gazeta Enigma/

Related Articles